Musa: Nuk është koha për zhbërjen e Speciales, por për ndryshimin e mënyrës së veprimit
Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë janë rikthyer diskutimet politike për zhbërjen e kësaj gjykate.
Avokati Skender Musa thotë se aktualisht nuk është koha për zhbërjen e saj, por kërkon ndryshimin e mënyrës së funksionimit dhe rritjen e përgjegjësisë institucionale të saj ndaj institucioneve të Kosovës.
Musa në një intervistë për Ekonomia Online, ka kritikuar mënyrën se si, ka vepruar Specialja, duke thënë se ajo duhet të japë llogari dhe se duhet të ketë një koordinim institucional me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Në radhë të parë dua ta bëj të qartë mendimin tim: Kjo gjykatë i ka shërbyer Serbisë dhe vazhdon t’i shërbejë Serbisë. Nëse një gjykatë e tillë i shërben Serbisë atëherë nuk ka nevojë ta përdorë logon dhe t’i zbatojë ligjet e Kosovës. Nuk mendoj se është koha dhe momenti të punohet për zhbërjen e gjykatës, mirëpo është koha dhe momenti që kjo gjykatë t’i japë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe prokurori special t’i japë përgjegjësi Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të thirren në një pavarësi të gjykatës dhe një gjykatë komplet e pavarur dhe të bëjë kaq dëme të mëdha Kosovës, duke marrë udhëzime nga prokurorë dhe gjyqtarë dhe politikanë të Serbisë siç ka vepruar kjo gjykatë”, tha ai.
Avokati ka deklaruar se mënyra e deritanishme e punës së kësaj gjykate e bën atë një rast të veçantë në Evropë sa i përket rezultateve të proceseve ndaj të akuzuarve shqiptarë.
“E thashë edhe më herët, është e vetmja gjykatë që njihet në Evropë që të gjithë të akuzuarit i ka dënuar dhe që pritet të dënohet çdo i akuzuar shqiptar që shkon para saj. Sepse vetëm shikojini ecurinë e punës së saj. Kjo gjykatë ka bashkëpunuar me prokurorë dhe policë serbë, hetues, ka marrë njerëz të sigurimit. Ata vetë kanë dalë publikisht dhe kanë thënë që ‘Ne i kemi shkruar edhe aktakuzat, kallëzimet penale, i kemi intervistuar, kemi intervistuar dëshmitarët shqiptarë’”, u shpreh Musa.
Musa ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit të Speciales, me institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“Ndërkaq nuk ka asnjë bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me Prokurorinë e Kosovës dhe me asnjë hallkë të sistemit të drejtësisë. Duhet të ndryshohet mënyra e veprimit të kësaj gjykate. Kjo gjykatë duhet me i pasë qartë dhe institucionet duhet me ia bë qartë që është gjykatë e Kosovës dhe që nuk guxon të ketë takime as kryetarja e gjykatës të Kosovës e as kryeprokurori i gjykatës të Kosovës me ministrin e punëve të brendshme, me ministrin e drejtësisë, me kryeprokuror apo me hetues të Serbisë”, thekson ai për Ekonomia Online.



