JO NË EMRIN TIM!

21 shtator 2026 | 11:13

Tubimi protestues e përkrahës në Sheshin Helvetia/Zürich me 19.09.2026

Grupi i të Rinjve, së bashku me Këshillin Organizativ, shpreh respektin dhe vlerësimin e thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në tubimin “Jo në emrin tim”, të mbajtur në sheshin Helvetia në Zürich.
Pjesëmarrja e mijëra bashkatdhetarëve dhe zhvillimi paqësor e dinjitoz i tubimit dëshmuan solidaritetin, unitetin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që u bënë pjesë e këtij organizimi.
Shprehim respekt të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, vullnetarët dhe kontribuuesit që me angazhimin e tyre bënë të mundur organizimin dhe mbarëvajtjen e tubimit.
Grupi ynë përbëhet nga të rinj dhe qytetarë të angazhuar vullnetarisht, mes tyre edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, invalidë të luftës, si dhe familjarë të ish-pjesëtarëve, të të rënëve dhe të të plagosurve gjatë luftës. Ky angazhim nuk përfaqëson asnjë subjekt apo interes politik dhe synon të mbetet një iniciativë qytetare, e pavarur dhe bashkuese.
Në frymën e këtij uniteti dhe për të shmangur çdo keqkuptim në publik, kërkojmë që personat që nuk janë pjesë e Grupit të të Rinjve apo të Këshillit Organizativ të mos prezantohen në media apo në publik në cilësinë e organizatorëve ose përfaqësuesve të tubimit. Çdo qëndrim në emër të organizatorëve duhet të jetë i koordinuar paraprakisht me grupin organizativ.
Përmes këtij tubimi shprehëm qëndrimin tonë në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të ish-pjesëtarëve të saj që po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Njëkohësisht, kundërshtojmë çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin në lidhje me luftën në Kosovë.
Kërkojmë një proces gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe transparent, me respekt të plotë për të drejtat e të akuzuarve, prezumimin e pafajësisë dhe të vërtetën historike të luftës së Kosovës. Kërkojmë gjithashtu transparencë të plotë ndaj institucioneve dhe, mbi të gjitha, ndaj popullit të Kosovës për funksionimin, mandatin dhe veprimtarinë e kësaj gjykate.
Gjithashtu, kërkojmë shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që drejtësia për çlirimtarët të mos mbetet peng i proceseve të njëanshme apo standardeve të dyfishta.
Drejtësia duhet të jetë e barabartë, e drejtë, transparente dhe e bazuar në fakte.
U bëjmë thirrje institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë që të veprojnë me unitet e përgjegjësi, përtej deklaratave publike: të kërkojnë transparencë të plotë, të ngrenë çështjen në çdo forum ndërkombëtar dhe të ndërmarrin hapa konkretë politikë e institucionalë për shpërbërjen e kësaj gjykate dhe për mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve.
Grupi i të Rinjve dhe Këshilli Organizativ mbeten të përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe organizimet në mbështetje të këtyre qëndrimeve.
Respekt dhe vlerësim për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij tubimi.
Grupi i të Rinjve
Këshilli Organizativ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim ETEMAJ Protestat e radhës do të duhej të zhvendoseshin…