PROTESTAT E RADHËS – NGA PROTESTA QYTETARE NË VEPRIM DIPLOMATIK
Lulëzim ETEMAJ
Protestat e radhës do të duhej të zhvendoseshin para ambasadave të pesë vendeve të Quintit dhe para Zyrës së BE-së në Prishtinë. Ato mund të mbahen radhazi, gjatë orarit të punës, një ditë para njërës ambasadë dhe ditën tjetër para tjetrës, në mënyrë që mesazhi ynë të jetë i drejtpërdrejtë dhe t’u adresohet faktorëve ndërkombëtarë që kanë rol dhe ndikim në Kosovë.
Këto protesta duhet të shoqërohen me kërkesa të qarta dhe konkrete për angazhim, monitorim dhe mbikëqyrje ndërkombëtare të të gjitha proceseve në Gjykatën Speciale të Hagës.
Duhet të shprehet fuqishëm shqetësimi për devijimet nga standardet e drejtësisë, problemet në zhvillimin e procesit dhe karakterin politik të vendimit të saj kundër katër krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Njëkohësisht, është e rëndësishme që protestat të mos mbeten vetëm në nivelin e një manifestimi publik.
Një grup përfaqësuesish të protestuesve, I PËRBËRË NGA TË RINJTË DHE JO NGA DEPUTETË APO PËRFAQËSUES TË PARTIVE POLITIKE, të përgatisë një memorandum të përbashkët, në gjuhën angleze, me kërkesa të qarta dhe të argumentuara, dhe t’ua dorëzojë ambasadave të vendeve të Quintit dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Në memorandum duhet të kërkohet që këto përfaqësi diplomatike t’ua përcjellin shqetësimet tona qeverive dhe institucioneve përkatëse, të ndjekin nga afër të gjithë procesin e Apelit, të vlerësojnë respektimin e standardeve të procesit të rregullt dhe të të drejtave të njeriut e të mbrojtjes, si dhe të mbështesin një shqyrtim të pavarur juridik të çështjeve të ngritura nga ana e avokatëve.
Po ashtu, përfaqësuesit e protestuesve duhet të kërkojnë takime zyrtare me ambasadorët dhe me drejtuesit e Zyrës së BE-së, në mënyrë që kërkesat dhe shqetësimet tona të paraqiten drejtpërdrejt dhe të kërkohet përgjigje konkrete nga secili institucion.
Në këtë mënyrë, protesta mund të shndërrohet nga një reagim i fuqishëm qytetar në një veprim të organizuar institucional dhe diplomatik, me kërkesa të qarta, të dokumentuara dhe të adresuara te faktorët ndërkombëtarë.



