Altin Krasniqi i përgjigjet ftesës së Haxhiut: “Dera e shtëpisë sonë vazhdon të qëndrojë e hapur”
Pas ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar familjeve të krerëve të UÇK-së, të cilët janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që t’i vizitojnë në zyrën e Presidentes, ka reaguar Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Altin Krasniqi ka thënë se familja e tij vazhdon ta mbajë të hapur derën e shtëpisë për familjarë, miq dhe të gjithë ata që bashkëndiejnë dhimbjen e tyre.
“Dera e shtëpisë sonë vazhdon të qëndrojë e hapur, tash e 6 vjet, për familjarë, miq dhe për të gjithë ata që bashkëndiejnë dhimbjen tonë.
Përgjatë këtyre 6 viteve, kemi pritur që përfaqësues të institucioneve tona të vijnë në këtë shtëpi dhe ende vazhdojmë t’i presim. Sepse pjesë e ndërtimit të këtyre institucioneve janë edhe veprat dhe sakrifica e babait tim.
Kjo derë do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që e ndjejnë dhimbjen tonë dhe e çmojnë sakrificën për lirinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Reagimi i tij vjen pas ftesës së Haxhiut për familjet e ish-krerëve të UÇK-së që të takohen me të në zyrën e Presidentes.



