Blushi: Thaçi u bë kurban, ka një dëshpërim kombëtar në Kosovë – bashkimi me Shqipërinë është e vetmja zgjidhje

22 shtator 2026 | 13:14

Analisti dhe shkrimtari Ben Blushi ka komentuar situatën në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u ndalur te Hashim Thaçi, roli i Perëndimit, marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe të ardhmen politike të vendit.

Duke folur për procesin në Hagë, Blushi ka hedhur poshtë idenë se Albin Kurti apo faktorë të tjerë politikë në Kosovë mund të kenë pasur ndikim në vendimmarrjen e gjykatës. Sipas tij, procesi është zhvilluar në nivele më të larta ndërkombëtare dhe lidhet me interesa që, sipas tij, shkojnë përtej vetë Thaçit.

Në këtë kontekst, Blushi ka përdorur metaforën e “kurbanit” për ish-presidentin e Kosovës.

“Hashim Thaçi ishte ai dashi që bëhet theror në themelet e një godine të madhe. U bë kurban në themelet e Gjykatës së Hagës që ajo të vazhdojë”, ka thënë Blushi për “DritareTV”.

I pyetur se kush e bëri “kurban” Thaçin, Blushi i është referuar qëndrimit të tij për rolin e faktorëve perëndimorë, duke përmendur Shtetet e Bashkuara dhe vende të rëndësishme evropiane.

Ai ka folur edhe për rolin e Shqipërisë, duke deklaruar se Tirana nuk kishte mundësi të ndikonte në procesin gjyqësor, përveç mbështetjes politike dhe morale.

“Shqipëria është neutrale në këtë proces. Përveçse një mbështetje morale, nuk ka çfarë bën. Edhe atë besoj se e kanë bërë të gjitha partitë, për fat të mirë”, është shprehur Blushi.

Blushi ka komentuar edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, duke thënë se ato janë përkeqësuar. Megjithatë, ai e ka ndarë këtë çështje nga procesi gjyqësor në Hagë, duke theksuar se politika e brendshme e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas tij, nuk ka ndikuar në vendimin e gjykatës.

Sipas Blushit, një nga shqetësimet kryesore tani është gjendja e brendshme politike në Kosovë. Ai ka bërë thirrje që partitë politike të lënë mënjanë përplasjet historike dhe të gjejnë unitet, duke paralajmëruar për pasoja ekonomike dhe dobësim të mbështetjes ndërkombëtare në rast të një krize të re politike.

“Ka një lloj dëshpërimi kombëtar në Kosovë dhe, në qoftë se ky thellohet nga partitë politike, të cilat e fusin Kosovën në një krizë tjetër kushtetuese, atëherë do të jetë shumë delikate”, ka deklaruar ai.

Blushi është pyetur edhe nëse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të ishte një zgjidhje përfundimtare për vendin. Ai është shprehur se kjo, sipas tij, do të ishte rrugëdalja për Kosovën.

“Është e vetmja zgjidhje për Kosovën. E vetmja zgjidhje për Kosovën që zgjidh njëkohësisht krizën e Kosovës me veten, me ekonominë e vet, me Serbinë dhe me Evropën”, ka thënë Blushi.

Ai ka argumentuar më tej se partitë politike në Kosovë duhet ta përfshijnë këtë çështje në programet e tyre, ndërsa ka veçuar PDK-në, duke deklaruar se pas vendimit të Hagës kjo parti ndodhet në një situatë të re politike. /Dritare.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare…