Kuvendi i Deçanit miraton deklaratë kundër aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së
Kuvendi i Komunës së Deçanit, së bashku me anëtarët e Kuvendit, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Bashkësisë Islame dhe organizatave lokale, ka miratuar sot një deklaratë lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“E respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por nuk pajtohemi me këtë aktgjykim dhe me mënyrën se si është trajtuar historia e luftës sonë për liri. UÇK-ja lindi nga dhuna, represioni dhe dëbimi i popullit shqiptar të Kosovës. Lufta për çlirim është pjesë e historisë sonë dhe nuk mund të ndahet nga rruga që solli lirinë e Kosovës.
Në këto ditë të dhimbshme, jemi pranë familjeve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit dhe të gjithë atyre që po e përjetojnë këtë moment me dhimbje.
Aktgjykimi u shpall ‘Në emër të popullit të Kosovës’. Por sot, nga Deçani, mesazhi ynë është i qartë: JO NË EMRIN TIM! PËR LIRINË. PËR UÇK-në. PËR KOSOVËN”, ka thënë kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.



