DHTIK kërkon masa lehtësuese për bizneset dhe fermerët nga rritja e çmimeve të derivateve

22 shtator 2026 | 14:12

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin për rritjen e sërishme të çmimeve të derivateve, e cila po shton presionin mbi bizneset, fermerët dhe konsumatorët, dhe po rrit kostot e operimit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.

Që nga fillimi i krizës, DHTIK ka kërkuar mbajtjen e një tryeze të përbashkët ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, me qëllim që të analizohen ndikimet e rritjes së kostove dhe të prezantohen propozime konkrete për përballimin sa më të lehtë të situatës.

“Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për realizimin e një takimi të tillë. Ndikimi i rritjes së çmimeve të derivateve është veçanërisht i ndjeshëm në një kohë kur bizneset vazhdojnë të përballen me reduktime të energjisë elektrike. Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve”, është thënë në reagimin e DHTIK-së, duke shtuar se ndikimi është i drejtpërdrejtë edhe në sektorin e bujqësisë, pasi derivatet janë një input i domosdoshëm për fermerët, të cilët i përdorin për traktorët dhe makineritë bujqësore gjatë përgatitjes së tokës, mbjelljes, trajtimit dhe korrjes.

DHTIK ka vlerësuar se rritja e çmimit të derivateve përkthehet drejtpërdrejt në rritje të kostos së prodhimit bujqësor dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve, që ndikon më pas në pjesëmarrjen e tyre në tregun edhe ashtu të ngufatur nga importi. “Rritja e çmimeve të derivateve të naftës, ka pasur ndikim të madh në ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të konsumit dhe kostove të ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit”, thuhet në reagim.

Në këtë situatë, DHTIK konsideron të nevojshme që institucionet të ndërmarrin masa të përkohshme dhe të targetuara për zbutjen e kësaj barre. “Na rajon ka kohë që shtetet kanë marrë masa, sidomos në uljen e akcizës, por edhe masa tjera për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët. Andaj, duke e parë që çmimi i derivateve vazhdon të ketë ngritje të ndjeshme dhe që kriza në Lindjen e Mesme nuk duket se do të zgjidhet shpejtë, DHTIK kërkon që edhe institucionet e Kosovës të shqyrtojnë pa vonesë mundësinë e uljes së përkohshme të akcizës dhe masa lehtësuese për sektorët më të prekur. Njëkohësisht, DHTIK propozon që Qeveria të përdorë edhe instrumente të tjera për të mbështetur ekonominë vendore, përfshirë stimulimin e konsumit të produkteve vendore. DHTIK propozon gjithashtu që të shqyrtohen skema të përkohshme mbështetjeje për bizneset që janë të detyruara të përdorin gjeneratorë për shkak të reduktimeve të energjisë, si dhe masa lehtësuese për fermerët, për të cilët derivatet përbëjnë një nga inputet kryesore të prodhimit”, theksohet në reagimin për media.

Në një periudhë kur bizneset po përballen njëkohësisht me kosto më të larta të energjisë, derivateve, transportit dhe inputeve të tjera, DHTIK konsideron se dialogu institucional me komunitetin e biznesit është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje praktike dhe të zbatueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Komunës së Deçanit, së bashku me anëtarët e…