Kurti takon drejtoreshën menaxhuese të FMN-së, diskutojnë për bashkëpunimin
Kryeministri Albin Kurti ka takuar në Nju-Jork drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, me të cilën ka diskutuar për partneritetin e deritanishëm me Kosovën.
“Agjenda jonë e reformave synon krijimin e vendeve më të mira të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmes rritjes së produktivitetit, investimeve dhe eksporteve, si dhe rritjes së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Në këtë drejtim, prioritet për Qeverinë mbetet zgjerimi i programit tonë SuperPuna për Gratë, si dhe vazhdimi dhe përmirësimi i sistemit të arsimit dual. Gjatë këtij viti, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë”, ka thënë Kurti pas takimit.
Ai ka treguar se biseduan edhe për sfidat me të cilat po përballen vendet në mbarë botën, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën energjetike, si dhe për mekanizmat dhe masat që nevojiten për t’i përballuar këto sfida.
“E falënderova znj. Georgieva për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në, të cilin presim ta thellojmë dhe diversifikojmë edhe më tej në këtë mandat”, ka deklaruar Kurti.



