Në mbrojtje të Granitit, Taulant Xhaka: Mos harroni sa krenari ka treguar për Zvicrën
Taulant Xhaka ka reaguar në mbështetje të vëllait të tij, Granit Xhakës, pas kritikave të shumta të drejtuara ndaj kapitenit të Zvicrës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Taulanti ka theksuar se gabimet janë pjesë e jetës dhe se askush nuk është i pagabueshëm, duke kërkuar që kontributi i Granitit për kombëtaren zvicerane të mos harrohet.
“Mos harroni kurrë atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka dhënë ndër vite për Zvicrën. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe për këtë fanellë”, ka shkruar ai.
Taulant Xhaka u është drejtuar edhe gazetarëve dhe kritikëve, duke theksuar se të gjithë njerëzit mund të bëjnë gabime.
“Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj. E rëndësishme nuk është që një njeri të bëjë gabim, por të qëndrojë pas tij, ta pranojë dhe të nxjerrë mësime”, thuhet në mesazhin e tij.
“Vëlla, jam krenar për ty. Kam qëndruar pas teje, qëndroj pas teje dhe gjithmonë do të qëndroj – çfarëdo që të ndodhë. Familja mbetet familje, në ditë të mira dhe në ditë të vështira.”
Reagimi i Taulantit vjen në një moment kur Granit Xhaka ka pranuar se kishte blerë një certifikatë të vaksinimit kundër COVID-19.




