Ndahet nga jeta Sylejman Havolli, gjyqtari që i shërbeu futbollit në një prej periudhave më të vështira
Është ndarë nga jeta Sylejman Havolli, ish-futbollist i Flamurtarit dhe një prej gjyqtarëve që i shërbeu futbollit të Kosovës gjatë një prej periudhave më të vështira të historisë sportive.
Havolli i përkiste gjeneratës së futbollistëve që la gjurmë te Flamurtari. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai e vazhdoi veprimtarinë si gjyqtar gjatë viteve ’90, duke ushtruar detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm në garat e organizuara në kushte të vështira nën okupim.
Bashkë me shumë gjyqtarë dhe punëtorë të tjerë sportivë të asaj kohe, Havolli kontribuoi në mbajtjen gjallë të garave të futbollit në Kosovë, në një periudhë kur sporti ishte pjesë e rëndësishme e organizimit shoqëror dhe institucional të shqiptarëve të Kosovës.
Përkushtimi, guximi dhe korrektësia me të cilat e ushtroi detyrën e gjyqtarit e bëjnë Sylejman Havollin pjesë të një brezi të rëndësishëm të futbollit kosovar.
Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Havolli, të afërmve, miqve, ish-bashkëlojtarëve, kolegëve dhe gjithë komunitetit sportiv.
“Kontributi i Sylejman Havollit, fillimisht si futbollist e më pas si gjyqtar, do të mbetet pjesë e kujtesës së futbollit të Kosovës dhe gjeneratës që punoi me vendosmëri për ta mbajtur gjallë sportin në vitet më të vështira. I përjetshëm qoftë kujtimi për Sylejman Havollin”, është thënë në telegramin e ngushëllimit.



