Familjet Thaçi, Veseli e Krasniqi i përgjigjen Haxhiut pas ftesës për takim
Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë publikuar një letër të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar lidhur me zhvillimet pas procesit gjyqësor në Hagë.
Letra është bërë publike nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, përmes një postimi në Facebook.
Në të, familjet kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre dhe ndaj procesit në Hagë.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.
Familjet theksojnë se presin nga të zgjedhurit e popullit një qasje të përgjegjshme shtetërore në raport me Dhomat e Specializuara.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Letër e familjeve Thaçi, Veseli dhe Krasniqi
Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara.
E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit.



