Mirlind Daku zbulon objektivin e Shqipërisë: Vendi i parë dhe rruga drejt Euro 2028
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, në konferencën zyrtare për medie nga “Shtëpia e Futbollit”, ka folur për objektivat e kuqezinjve në Ligën e Kombeve. Daku ka thënë se Shqipëria e ka synim vendin e parë në grup, duke theksuar se rruga në Ligës së Komeve lidhet edhe me objektivin për Euro 2028.
“Si gjithmonë është nder të jesh pjesë e Kombëtares. Për këto arsye ftohemi edhe ne sulmuesit, për të shënuar gola dhe shpresoj që do të vazhdoj këtë cikël të ri. Të shënojmë gola, por më e rëndësishme është të fitojmë dhe t’i kalojmë sa më mirë këto katër ndeshje”, ka deklaruar Daku.
Duke folur për konkurrencën në repartin ofensiv, sulmuesi kuqezi ka vlerësuar se rivaliteti brenda skuadrës është pozitiv. “Është mirë kur ka konkurrencë brenda skuadrës. Edhe çunat që kanë ardhur, vijnë prej një fillimi sezoni shumë të mirë, kanë shënuar gola dhe kjo është gjë e mirë. Na duhet që të kemi lojtarë që të jenë në momentin e tyre. Unë do ta pres momentin dhe, nëse do të më jepet mundësia, do të jap më të mirën time”, ka thënë ai.
Sa i përket objektivit, Daku ka theksuar se vendi i parë në grup lidhet drejtpërdrejt me synimin për kualifikimin në Euro 2028. “Vetë fakti që ne jemi për vendin e parë, flet për Euro 2028. Rruga në Nations League na çon drejt Euro 2028. Për ne është objektivi kryesor që të jemi të parët dhe të vazhdojmë ato dy ndeshje që janë si finale”, është shprehur Daku.
Daku ka deklaruar se është 100 për qind i gatshëm për Kombëtaren, duke sqaruar se mungesa e tij me ekipin e ri ka qenë zgjedhje e trajnerit dhe jo pasojë e ndonjë lëndimi. “Unë jam 100 për qind i gatshëm për Kombëtaren, kam qenë gjithmonë. Me ekipin e ri nuk kam luajtur, por nuk vij prej ndonjë lëndimi. Është zgjedhja e trajnerit aty për të vazhduar me lojtarët që ka pasur”, ka thënë sulmuesi.
Kurse duke folur për trajnerin Maran, Daku ka veçuar rëndësinë që, sipas tij, po i jepet secilit futbollist brenda skuadrës. “Të gjithë lojtarët e grumbulluar nuk e kemi ndjerë rëndësinë veçmas. Tani po ndjejmë që secili lojtar ka rëndësinë e vet në skuadër dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë. Për të tjerat, presim ndeshjet”, ka përfunduar Daku.



