Behrami: Dyfytyrësia e BE-së, amniston kriminelët serbë, heronjve tanë u mvesh krime të paqena

24 shtator 2026 | 09:43

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Evropian, duke e akuzuar për dyfytyrësi në raport me Serbinë dhe Kosovën.

Behrami ka reaguar pas takimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se takimi u zhvillua vetëm pak ditë pasi Vuçiqi dhe Serbia glorifikuan kriminelin e luftës Ratko Mlladiq.

“Dyfytyrësia e BE-së. Von der Leyen dje e takoi Vuçiqin, vetëm pak ditë pasi ai dhe Serbia glorifikuan kriminelin Ratko Mlladiq.

BE-ja, si dikur Mlladiqin dhe Karaxhiqin, sot amniston Milan Radoiçiqin për strehimin që i bën Serbia”, ka shkruar Behrami.

Ai ka theksuar se reagimi i tij vjen edhe në përvjetorin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe sulmit të armatosur në Banjskë, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq.

“Në përvjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut dhe sulmit terrorist të Serbisë në Kosovë, BE-ja, përmes Gjykatës Speciale, po i amniston kriminelët serbë, ndërsa heronjve tanë po ua mvesh krime të paqena”, ka deklaruar Behrami.

Behrami e ka cilësuar Gjykatën Speciale si një institucion të varur nga Bashkimi Evropian dhe të pavarur nga institucionet e Kosovës.

“Gjykata Speciale është 100% e varur nga BE-ja dhe 100% e pavarur nga Kosova”, ka shkruar ai.

Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje kolegëve të tij në Kuvend që të ndërmarrin ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Andaj, është koha e fundit ta ndryshojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe ta pavarësojmë këtë gjykatë”, ka përfunduar Behrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, është shprehur i bindur…