Vuçiqi në OKB: Serbia do ta mbrojë qëndrimin e saj për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Beogradi do të vazhdojë të mbrojë atë që e cilësoi si integritetin territorial të Serbisë, Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Duke folur për Kosovën, Vuçiqi tha se Serbia ka qenë prej vitesh nën presion për të hequr dorë nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit, e cila synonte të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
Sipas tij, Serbia i ka përmbushur detyrimet e saj, ndërsa Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që ai e cilësoi si detyrim të palës shqiptare, nuk është formuar.
Vuçiqi kritikoi gjithashtu qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj çështjes së integritetit territorial të Serbisë. Ai krahasoi trajtimin e kësaj çështjeje me qëndrimet ndërkombëtare ndaj Ukrainës, duke argumentuar se parimi i integritetit territorial nuk zbatohet, sipas tij, në mënyrë të njëjtë në të gjitha rastet.
Në fjalën e tij, presidenti serb theksoi se Beogradi duhet të ruajë aleancat tradicionale, por njëkohësisht të përmirësojë marrëdhëniet me vendet me të cilat ka pasur konflikte në të kaluarën. Ai veçoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Serbia ka nevojë për sa më shumë aleatë dhe sa më pak kundërshtarë të fuqishëm.
Në përfundim, Vuçiqi tha se gjatë qëndrimit në New York kishte zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë, duke përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai deklaroi gjithashtu se ka ftuar presidentin amerikan Donald Trump për një vizitë në Serbi dhe shpreson që ajo të realizohet vitin e ardhshëm. /euronew.al



