Plenkoviçi, Vuçiqit: Në vend që të kërkosh falje për krimet e Mlladiçit, sulmon Kroacinë

25 shtator 2026 | 08:11

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i ka cilësuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si pjesë të narrativave të njohura të Serbisë kundër Kroacisë, duke thënë se ato e largojnë edhe më shumë Beogradin nga vlerat evropiane dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në fjalimin e tij në OKB, Vuçiq akuzoi Kroacinë se krenohet me të kaluarën naziste dhe foli për “ringjalljen e shpirtrave më të tmerrshëm të së kaluarës”. Ai përmendi edhe vuajtjet e serbëve, hebrenjve dhe romëve në Jasenovac, duke i cilësuar si të papranueshme “mesazhet morale” që vijnë nga Kroacia.

Plenkoviç tha se deklaratat e Vuçiqit ishin të pritshme, veçanërisht pas kritikave të tij ndaj Serbisë për mënyrën se si u trajtua varrimi i kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç, përfshirë nderimet shtetërore dhe ushtarake.

“Në vend që të kërkojë falje për atë që organizuan, ai vazhdon me këtë fushatë të pabazë shpifëse kundër Kroacisë, në të cilën as vetë nuk beson, e aq më pak komuniteti ndërkombëtar”, tha Plenkoviç.

Sipas tij, deklarata të tilla përbëjnë “edhe një hap më larg vlerave që ndajmë në Bashkimin Evropian dhe nga anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Plenkoviç foli gjithashtu për bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe vendeve të Gjirit, duke theksuar rolin e Kroacisë, si kryesuese e grupit MED9, në forcimin e këtij partneriteti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Negociatorët amerikanë dhe iranianë në Nju-Jork janë duke eksploruar një…