ShBA-ja dhe Irani po diskutojnë për një marrëveshje me faza për hapjen e Hormuzit

25 shtator 2026 | 08:10

Negociatorët amerikanë dhe iranianë në Nju-Jork janë duke eksploruar një rrugë me faza që do ta përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani dhe heqjen e bllokadës ekonomike ndaj Iranit nga Uashingtoni, thanë disa burime të afërta me bisedimet.

Bisedimet ballafaqohen me një pengesë të madhe, pasi asnjëra palë nuk dëshiron të jetë e para që i dorëzon levat e veta, sipas komenteve të dy burimeve iraniane, dy zyrtarëve rajonalë dhe dy burimeve diplomatike perëndimore, por prapa qëndrimit të Iranit është njohja e kostos ekonomike të një ballafaqimi të zgjatur, raporton agjencia “Reuters”.

Një zyrtar i lartë iranian tha se mënyra më bindëse për t’i dhënë fund ngërçit do të ishte një marrëveshje e ndarë në faza, ku Irani do ta lejonte lundrimin e anijeve nëpër Hormuz në këmbim të heqjes së bllokadës ekonomike nga ShBA-ja dhe që Teherani potencialisht të fitojë qasje në fondet e ngrira.

“Një rrugë për të ecur përpara do të ishte që të zgjidhej kriza në faza. E para do të ishte që t’i jepet fund bllokadës dhe të rihapet Hormuzi” – tha ai në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai mendon që ShBA-ja e Irani mund të arrijnë marrëveshje pas zgjedhjeve të mesit të mandatit më 3 nëntor. Një zyrtar i lartë evropian tha se iranianët “kanë një listë shumë të gjatë të kërkesave”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se përderisa “Irani është i dëshpëruar për një marrëveshje, presidenti Trump i mban të gjitha letrat dhe do ta marrë cilindo vendim që është më i miri për Shtetet e Bashkuara”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…