BE i bën presion Ukrainës për reformat: Po të rrezikohen rreth 20 miliardë euro ndihmë financiare

25 shtator 2026 | 08:38

Komisioni Evropian po shton presionin ndaj Ukrainës për përshpejtimin e reformave, zbatimi i të cilave është kusht për lirimin e rreth 20 miliardë eurove në ndihmë financiare.

Brukseli paralajmëron se vonesat mund të ndikojnë në disbursimin e fondeve, në një kohë kur Kievi përballet me një rritje të deficitit buxhetor dhe intensifikim të luftës me Rusinë.

“Është thelbësore që Ukraina të vazhdojë të përmbushë reformat dhe kushtet politike të dakordësuara bashkërisht me Bashkimin Evropian”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian, raporton Euronews

Sipas tij, zbatimi në kohë i këtyre kushteve është i domosdoshëm që Komisioni të mund të procedojë me pagesat përkatëse sipas planit.

Paralelisht, Komisioni Evropian po zhvillon bisedime intensive me autoritetet ukrainase për të përcaktuar përmasat e sakta të mungesës së financimit të vendit. Në këtë proces është i përfshirë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili menaxhon një linjë të veçantë të asistencës për Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte deklaruar fillimisht se Ministria e Mbrojtjes përballej me një mungesë financimi prej rreth 27 miliardë dollarësh, ose afërsisht 23.75 miliardë euro. Shifra thuhet se i befasoi zyrtarët evropianë dhe ngriti pyetje mbi mënyrën se si ishte përllogaritur.

Ndërkohë, Ukraina përballet me një tjetër mungesë financimi prej rreth 32.6 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm.

Si një nga zgjidhjet e mundshme, Zelenskyy ka propozuar që një pjesë e kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së, e planifikuar për vitin 2027, të vihet në dispozicion që në vitin 2026.

Paketa është e ndarë në dy pjesë prej 45 miliardë eurosh secila. Për rrjedhojë, një përshpejtim i pagesave do të nënkuptonte më pak fonde të disponueshme për vitin 2027.

Presidenti ukrainas ka propozuar gjithashtu përdorimin e aseteve ruse të ngrira, një çështje që mbetet objekt debatesh brenda BE-së. /Klankosova

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Këtë të premte edhe Prizreni do t’i bashkohet protestave të…