Edita Tahiri: As Kurtin, as Ramën nuk i takuan qeveritarët amerikanë – alarm për kombin dhe dy shtetet tona
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar qasjen e Kosovës dhe Shqipërisë gjatë qëndrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një postim, Tahiri ka thënë se, sipas saj, fakti që liderët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë pasur takime me zyrtarë të qeverisë amerikane përbën “alarm për kombin dhe dy shtetet tona”.
“Ishin në Amerikë, por nuk patën takime me Qeverinë amerikane – as Kurtin, as Edi Ramën nuk i takuan qeveritarët amerikanë. Ky është një alarm për kombin dhe dy shtetet tona. Arsyet dihen: Kosova në kriza politike tash e dy vjet, të cilat vazhdojnë, ndërsa Shqipëria në pellgun e korrupsioneve të pandalshme. Ai që pati mundësi të fliste në Asamblenë e Përgjithshme ishte Rama, sepse Shqipëria është anëtare e OKB-së. Mirëpo, fjalimi i tij u bojkotua nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së”, ka Tahiri në ‘Facebook’.
Ajo ka shkruar se: “Duke mos pasur çfarë t’i thoshte botës për Shqipërinë, Rama iu foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale, ndërkohë që debati botëror hapur po shfaq shqetësimet se inteligjenca artificiale po e çon botën drejt apokalipsit”.
Tahiri ka theksuar se Rama nuk foli as për Kosovën, as për padrejtësinë ndaj liderëve të UÇK-së. “Së paku, e kishim ndier se pati Kosova një zë në OKB. Sa më e brishtë gjendja në shtet, aq më e brishtë diplomacia – sa kjo u pa në të dyja rastet. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë në këtë gjendje, fatkeqësisht”, ka shkruar Edita Tahiri.



