Bajrami: Nëse ka kandidat të LDK-së për president, unë e votoj
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk ka informacion nëse po zhvillohet ndonjë takim mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
E pyetur nëse do të ketë takime të reja mes Kurtit dhe Abdixhikut dhe nëse është duke u diskutuar për ndonjë kandidat të mundshëm për president, Bajrami ka thënë se nuk ka informacion dhe se nuk dëshiron të bëjë supozime.
Ajo, megjithatë, ka thënë se nëse LDK-ja do të ketë kandidat për president, ajo do ta mbështesë me votë.
“Për besë nuk kam asnjë informacion. Prej seancës dola, nuk kam informacion. Nuk kemi diskutuar, asnjë informacion s’kam. S’kam çfarë t’ju them. Për besë nuk mund të presupozoj tash. Nëse ka kandidatë të LDK-së, unë votoj po”, ka thënë ajo.
Bajrami ka qenë në mesin e deputetëve të LDK-së që nuk e kanë mbështetur kandidaturën e fundit të propozuar për president, Bekim Sejdiun.



