Begaj: Presim mbylljen e të gjithë kapitujve me BE-në deri në fund të vitit 2027
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur sot në takim edhe nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Ky i fundit me këtë rast rikonfirmoi qëndrimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke u bazuar në merita dhe rezultate konkrete.
Ai tha se anëtarësimi i vendit në familjen e madhe evropiane mbetet objektiv strategjik dhe vuri në dukje progresin e ndjeshëm të arritur në procesin negociues.
“Shqipëria i qaset këtij procesi me besim, por edhe me kuptim të qartë të përgjegjësisë që mbart. Ambicia jonë është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë përparimin drejt mbylljes së të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027. Ne besojmë se e vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo e reformave konkrete”, tha presidenti Begaj.



