Zgjatet afati për dorëzimin e njoftimeve për apel në rastin e liderëve të UÇK-së
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimeve për apel në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Paneli i Apelit ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit, i cili ishte caktuar më 29 shtator 2026.
Paneli ka miratuar të njëjtën zgjatje të afatit edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe ka caktuar 27 nëntorin 2026 si afat për dorëzimin e njoftimeve për apel nga ekipet e mbrojtjes dhe ZPS-ja.
Kjo është bërë me dije në njoftimin e Dhomave të Specializuara, të publikuar të martën.
“Në një vendim tjetër, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme”, është thënë në njoftim.
Paneli i Apelit përbëhet nga gjyqtarja Michele Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jorgensen.



