Gjenerali Hisen Berisha kërkon zhbërjen e Dhomave të Specializuara: Kosova nuk duhet të presë vendimin e Apelit

30 shtator 2026 | 12:26

Gjenerali dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke argumentuar se procesi gjyqësor në Hagë mund të ketë pasoja për interpretimin e luftës së UÇK-së dhe themelet politike të shtetit të Kosovës.

Në një shkrim të publikuar në “Facebook”, Berisha ka komentuar përbërjen e Panelit të Apelit në rastin e krerëve të UÇK-së, ku janë caktuar gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Ai ka pretenduar se i njëjti përbërës i Panelit ka qenë i angazhuar edhe në raste të tjera të përfunduara me vendime dënuese dhe, duke iu referuar performancës së tij në rastet e mëparshme, ka shprehur qëndrimin se Kosova nuk duhet të presë pasivisht përfundimin e procesit.

“Çështja e Hagës nuk duhet të lihet të ecë deri në fund, duke pritur pasivisht se çfarë do të prodhojë ky proces. Duhet ndërhyrje direkte shtetërore për zhbërjen e bazës funksionuese të këtyre Dhomave”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me individët që po gjykohen në Hagë, por ai e sheh procesin si një rrezik të mundshëm për mënyrën se si do të interpretohet lufta e UÇK-së dhe rruga drejt shtetësisë së Kosovës.

Berisha ka paralajmëruar se, sipas vlerësimit të tij politik, një delegjitimim i luftës së UÇK-së mund të krijojë premisa për riformatimin e projektit politik të Kosovës.

Ai ka përmendur edhe skenarin e “Republikës së Tretë” dhe idenë e një konfederate serbo-shqiptare, duke theksuar se nuk pretendon se një rezultat i tillë është i vendosur apo se ekziston një plan i provuar për këtë qëllim.

Një pjesë të veçantë të reagimit, Berisha ia ka kushtuar edhe ish-prokurorit të Specializuar të Dhomave të Specializuara, Jack Smith.

Ai ka ngritur pyetjen nëse Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë llogari nga Smith për mandatin e tij si Specialist Prosecutor në Hagë, të cilin e ka ushtruar nga viti 2018 deri më 2022.

“Nëse Senati i Shteteve të Bashkuara e thërret Jack Smith-in në dëgjim për të dhënë llogari për veprimtarinë e tij si prokuror i posaçëm në SHBA, pse Kuvendi i Kosovës të mos kërkojë llogari nga i njëjti Jack Smith për veprimtarinë e tij si Specialist Prosecutor i Dhomave të Specializuara të Kosovës?”, ka shkruar Berisha.

Ai ka kërkuar që Kuvendi të mos kufizohet vetëm në deklarata politike, por të përdorë mekanizmat institucionalë dhe kushtetues për të kërkuar sqarime dhe përgjegjësi.

Në fund, Berisha ka bërë thirrje për inicimin e procedurave institucionale për zhbërjen e Dhomave të Specializuara.

“Duhet veprim shtetëror. Dhe ky veprim duhet të fillojë në Kuvendin e Kosovës, pra, INICIATIVA PËR ZHBËRJEN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në…