Projektligji për Specialen po analizohet nga dy ministri, Kurti: Brenda javës marrim përgjigje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se projektligji i propozuar nga PDK-ja për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë është dërguar për vlerësim në Ministrinë e Drejtësisë dhe për analizë buxhetore në Ministrinë e Financave.
Kurti ka bërë me dije se Zyra Ligjore e Kryeministrisë e ka dërguar projektligjin në këto dy ministri dhe se gjatë kësaj jave pritet të marrin përgjigjet përkatëse, pas së cilës do t’ia përcjellin Kuvendit të Kosovës.
“Brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen edhe nga MD-ja dhe vlerësimin e departamentit të buxhetit nga MF-ja. Do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë.
Ai ka theksuar se këto janë hapa ligjorë dhe se nuk ka nevojë të bëhen shkelje ligjore për një çështje të tillë.



