Kurti përmend unitetin ndaj gjyqit të Hagës teksa flet për sfidën e presidentit: S’është e mençur të hyjmë në rivalitet të fushatës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media për çështjen e zgjedhjes së presidentit, teksa afrohet 6 tetori.
Kurti ka përmendur unitetin e treguar për miratimin e deklaratës së Kuvendit të Kosovës për gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka thënë se nuk është e mençur që në këtë kohë vendi të shkojë në zgjedhje dhe të hyjë në rivalitete të ashpra zgjedhore.
“I kemi gjashtë ditë. Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji për të pandehurit në Hagë dhe, në anën tjetër, duhet të kemi stabilitet. Nuk besoj që është punë e mençur të hyjmë në rivalitete të ashpra zgjedhore. Prandaj duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi e diskutojmë, dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, ka thënë Kurti.



