Tre zëra nga LPK-ja kundërshtojnë gjetjet e Speciales për raportin Thaçi-Allaqi: Nuk ka pasur konflikt mes tyre
Tre ish-veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ali Ahmeti, Ramadan Avdiu dhe Fatmir Brajshori, kanë kundërshtuar publikisht pretendimet për një konflikt apo mosmarrëveshje serioze mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit, të trajtuara në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trupi Gjykues ka konstatuar se në vitin 1993 Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Thaçin dhe Azem Sylën.
Sipas aktgjykimit, Thaçi dhe Syla e kishin akuzuar Allaqin se kishte sjellë në radhët e lëvizjes politike Shaban Shalën, të cilin e konsideronin si spiun të pretenduar të Serbisë. Gjykata ka konstatuar se kjo kishte rezultuar edhe në marrjen e rolit që i ishte premtuar Allaqit.
Por, një version tjetër është dhënë nga tre persona që kanë qenë të përfshirë në aktivitetet e LPK-së.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, duke folur në Debat Plus, ka mohuar se në fshatin Kollare të Kërçovës kishte pasur përplasje mes Thaçit dhe Allaqit.
“Në Kollare nuk ka pasur asnjë përplasje në mes Hashim Thaçit dhe Beadin Allaqit. Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në Kollare, ai ka qenë njëri nga pjesëmarrësit më të rinj në atë takim dhe nuk ka pasur fare debat midis Thaçit dhe Allaqit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka thënë se Allaqi kishte qenë në krye të LPK-së, duke shtuar se nuk e kishte parë një përplasje mes tij dhe Thaçit.



