lerim Isufaj është shkarkuar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, në një moment kur për muaj me radhë ishte përballur me kritika të ashpra nga pushteti dhe personalisht nga kryeministri Albin Kurti. Këshilli Prokurorial i Kosovës e mori vendimin në mbledhjen e jashtëzakonshme të 2 tetorit, ndërsa KPK-ja e arsyetoi atë me pretendime për “keqmenaxhim”, “jokompetencë”, mospërmbushje të detyrave dhe standardeve të performancës.
I vlerësuar nga SHBA-ja, i padëshiruar nga Kurti e Mihali: Isufaj kishte hetuar shumë raste korrupsioni, ministra, zëvendësministra e deputetë të lidhur me pushtetin
Por në maj, Albin Kurti kishte kërkuar publikisht një kryeprokuror të ri, duke e përmendur drejtpërdrejt Isufajn.
“Duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”, kishte deklaruar Kurti.
Pas këtyre deklaratave, Prokuroria Speciale kishte reaguar publikisht, duke thënë se nuk komentonte deklaratat politike që, sipas saj, ishin të pavërteta dhe nuk mbështeteshin në fakte apo procedura zyrtare.
Isufaj gjithashtu ishte atakuar edhe nga personi kontrovers, Dejona Mihali, një aktiviste e paepur e Lëvizjes Vetëvendosje, që e ka si specialitet linçimin publik ndaj figurave që nuk i pëlqejnë partisë. Ajo e kishte sulmuar drejtpërdrejt Blerim Isufajn në prill të vitit 2023, pas arrestimit të atëhershëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Pra, shkarkimi i Isufajt del të jetë puro politik dhe deshirë e kahmotshme e liderit të VV-së dhe kryeministrit Kurti, i cili e kishte personale me Isufaj.
Lufta publike nisi kryesisht kur Kurti dhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) u deklaruan hapur kundër emërimit të Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit. Ky presion publik ndikoi që Presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretonte atë në tetor të vitit 2023, e cila atë kohë ishte aleate e Kurtit në krye të Presidencës, dhe i plotësonte dëshirat e VV-së dhe Kurtit pa hezitim.
Nën drejtimin e Isufajt, Prokuroria Speciale kishte intervistuar dhe hetuar të paktën 15 deri në 16 zyrtarë të lartë, ministra, zëvendësministra dhe deputetë të lidhur me pushtetin e Kurtit, gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes ekzekutivit dhe prokurorisë
Duhet theksuar gjithashtu se Prokuroria Speciale, vetëm në periudhën 2022–2026, kishte hetuar dhe ngritur një mori aktakuzash për korrupsion, keqpërdorim, krime ekonomike si dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë ndaj civilëve nga forcat serbe.
1.Rasti i KEK-ut – Nagip Krasniqi 2. Rasti i rezervave shtetërore 3. Aktakuza për Masakrën e Reçakut 4. Aktakuza për krimet në lagjen e familjes Jashari në Prekaz 5. Aktakuza për dëbimin e mbi 863 mijë civilëve shqiptarë 6. Aktakuza për krime lufte në Cerrcë të Istogut, 7. Aktakuza për krime lufte në Gjakovë, 8. Aktakuza për dhunë seksuale gjatë luftës, 9. Rasti i Banjskës 10. Sulmi në kanalin Ibër-Lepen, 11. Rasti i Ministrisë së Arsimit – mbi 7.5 milionë euro.
Në javët e fundit, presioni ndaj Isufajt ishte rritur edhe brenda Këshillit Prokurorial. Më 2 shtator, KPK-ja nuk e kishte miratuar raportin e punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, ndërsa më 2 tetor kishte thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës – performancën e kryeprokurorit Isufaj.
Por, në të njëjtën periudhë kur pozita e tij vihej gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, Prokuroria Speciale kishte ndërmarrë një hap të rëndësishëm në hetimin e krimeve të luftës.Më 4 shtator 2026, PSRK-ja, nën drejtimin e Isufajt, kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Aktakuza lidhej me vrasjen e civilëve gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998.
Ndërkohë, Isufaj kishte vazhduar edhe takimet me përfaqësuesit amerikanë.
Në anën tjetër, në javët para shkarkimit të tij, Blerim Isufaj kishte zhvilluar takime të përsëritura me përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në një kohë kur përballej me sulme dhe kritika të vazhdueshme nga pushteti.
Më 11 shtator, Isufaj ishte takuar në Prishtinë me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ku ishte diskutuar puna e Prokurorisë Speciale dhe sundimi i ligjit në Kosovë. PSRK-ja kishte falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale dhe për bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Vetëm pak ditë më vonë, më 25 shtator, Prattipati ishte takuar sërish me Isufajn, këtë herë në Ambasadën Amerikane. Sipas njoftimit të Ambasadës, në fokus ishte “vazhdimi i bashkëpunimit tonë të suksesshëm” me Prokurorinë Speciale në luftën kundër terrorizmit, kontrabandës së drogës dhe migrantëve, krimeve kibernetike dhe organizatave kriminale transnacionale.
Në këtë takim, Ambasada Amerikane e kishte falënderuar Isufajn për bashkëpunimin e suksesshëm, përfshirë punën që kishte ndihmuar në avancimin e prioriteteve të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe ndjekjen penale të krimit transnacional. Takimi i dytë kishte ardhur pak ditë pas aktakuzës për Prekazin dhe rreth tri javë pas takimit të parë mes Prattipatit dhe Isufajt, më 11 shtator, kur ishte diskutuar puna e Prokurorisë Speciale dhe sundimi i ligjit në Kosovë.
Një tjetër rast që kishte dëshmuar bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe atyre amerikane ishte edhe hetimi ndaj shtetasit kosovar Ardit Kutleshi, i cili ishte deklaruar fajtor në Shtetet e Bashkuara për krijimin dhe operimin e platformës së krimit kibernetik “Rydox”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte bërë të ditur se hetimi ishte zhvilluar nga FBI-ja në Pittsburgh në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, që udhëhiqej nga Isufaj.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA-Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik transnacional. Faleminderit Prokurorisë Speciale të Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë të përfshirëve për bashkëpunimin e shkëlqyer në sjelljen e këtij rasti para drejtësisë!” thuhej në reagimin e ambasadës.
Edhe FBI Cyber Division kishte vlerësuar publikisht bashkëpunimin në këtë rast, duke theksuar se FBI-ja dhe partnerët e saj ndërkombëtarë e kishin mbyllur platformën dhe kishin çuar para drejtësisë personin që e kishte krijuar dhe drejtuar atë.
Por e gjithë kjo punë nga Prokuroria Speciale, me në krye Isufajn, nuk del të ishte e kënaqshme për “dëshirat e Kurtit” dhe vartësve të tij, të hetuar nga kjo prokurori për një mori skandalesh e keqpërdorimesh, çka pasoi me shkarkimin e tij nga KPK-ja, tashmë i kapur nga pushteti.



