Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti–Hamza

02 tetor 2026 | 19:48

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se takimi me kryeministrin Albin Kurti ka përfunduar pa marrëveshje.

Pas takimit, i cili zgjati rreth dy orë, Hamza tha se palët kanë diskutuar për situatën aktuale politike, procesin gjyqësor në Hagë, ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe zgjedhjen e presidentit.

“Biseduam për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin në Hagë, me nevojën që ligji të procedohet dhe aprovohet në Kuvend, dhe tema zgjedhja e presidentit”, tha Hamza.

Ai theksoi se për PDK-në prioritet është miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit do të diskutohet pas përfundimit të këtij procesi.

“Është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i ligjit për Specialen dhe pastaj ne jemi të hapur të diskutojmë për presidentin”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje me Kurtin, por nuk e përjashtoi mundësinë e takimeve të tjera në ditët në vijim.

“Nuk ka marrëveshje deri më tani për temat për të cilat kemi biseduar. Është e mundshme që kemi takime edhe ditëve në vijim”, theksoi ai, raporton Telegrafi.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pranuar letër nga kongresisti…