Përkujtohen studentët e UP-së që ranë dëshmorë për çlirimin e Kosovës

02 tetor 2026 | 01:38

Një pllakë përkujtimore e vendosur në murin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit të Universitetit të Prishtinës mbanë emrat e 12 studentëve që kanë rënë dëshmorë për çlirimin e Kosovës.

Udhëheqës të Universitetit dhe profesorë të UP-së, bashkë me studentë, u mblodhën më 01.10.2026, për t’i nderuar këta dëshmorë.

Pllaka është vendosur nga viti 2014 në kohën kur Fakulteti i Edukimit Fizik u udhëhoq nga ish-dekani Sadik Krasniqi.

Në pllakë janë të shënuar emrat e këtyre studentëve dëshmorë: Nuhi Berisha, Naser Krasniqi, Bashkim Emini, Skender Salihaj, Bedri Bajrami, Mentor Morina, Bahtir Jahiri, Ramadan Rexhepi, Mustafë Shabani, Avduall Baftiu, Isa Ameti dhe Hilmi Hoti.

Përkujtohen studentët dëshmorë të UP-së, 01.10.2026, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com

“Këta studentë kanë qenë rresht para meje. Kam punuar me ta. I kam përgatitur për Ushtrinë Çlirimtare dhe ndjesia ime ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme për ta… Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë që m’u ka dhënë mundësia në kohën kur isha dekan më 2014 që ta vendosi këtë pllakë përkujtimore, ku prezent ka qenë edhe baci Adem Demaçi, dhe familjarë e dëshmorëve. Këta studentë të rënë dëshmorë janë vulë dëshmie e të gjitha kontributeve të jashtëzakonshme që janë dhanë për lirinë e sotme.” – tha Sadik Krasniqi.

Kurse, dekani i tanishëm i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Florian Miftari, tha se janë mbledhur sot që t’i falënderojnë ata që e bën të mundur këtë ditë që ta shënojnë.

“Edhe ata kanë qenë dikur si ju studentë nëpër këto korridore, nëpër këto fusha, salla, kanë pasë aspirata që një ditë të krijojnë familje dhe të jenë profesorë të Edukatës Fizike dhe trajnerë. Mirëpo, e zgjodhën rrugën pa kthim.” – tha Miftari.

Rektori Arben Hajrullahu ka deklaruar se këta studentë luftuan “padrejtësitë edhe dhunën sistematike që ushtrohej edhe ndaj Universitetit, profesorëve, studentëve dhe të gjithë popullit të Kosovës.”

“Vetëm nga Fakulteti i Sportit janë 13 studentë që kanë ra dëshmorë në luftën e fundit 1998-1999. Kemi si Universitet 8 profesorë që e kanë humb jetën në këtë luftë dhe sipas njohurive deritanishme, rreth apo mbi 315 studentë që kanë humbë jetën drejtpërsëdrejti në luftë, në betejë apo si viktima dhe pasojë e kësaj lufte. Ju jemi mirënjohës që të gjithëve.” – tha Hajrullahu.

(Foto: kallxo.com)

Hajrullahu paralajmëroi se së shpejti do të ketë një memorial në kampusin e UP-së për t’i përkujtuar studentët dëshmorë.

29 vjet më parë mijëra studentë të Universitetit të Prishtinës në krye me rektorin tashmë të ndjerë, Ejup Statovci, protestuan kundër gjendjes në të cilën zhvillonin mësimin duke kërkuar kthimin në objektet nga të cilat ishin dëbuar nga forcat serbe.

Protesta e 1 tetorit 1997 nisi në lagjen “Velania” në kryeqytet, aty ku shumica e studentëve të UP-së mësonin nëpër shtëpitë e lëshuara për shkolla, ndërsa kishte për qëllim marshimin drejt kampusit universitar.

Në krye të protestës studentore, krah Statovcit, ishin Bujar Dugolli, Albin Kurti (kryeministri i sotshëm), Driton Lajçi e Muhamet Mavraj.

Forcat serbe e shpërndan protestën, ndërsa organizatorët e saj në atë kohë u arrestuan.

Kjo protestë arriti ta shënojë kthesë në zhvillimet në Kosovë kundër ish-regjimit të Millosheviqit.

Këto lëvizje më vonë morën përmasa më të gjera ndërsa u kërkua edhe pavarësi për Kosovën. Forcat serbe ushtruan dhunë ndaj protestuesve dhe arrestuan shumë studentë.

Ejup Statovci ishte Rektor i Universitetit të Prishtinës në periudhën 26 nëntor 1991 e deri më 31 dhjetor 1997. Gjatë asaj kohe ai u angazhua për shpëtimin e Universitetit të Prishtinës nga mbyllja e tij prej okupuesit serb./kallxo.com/.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Trajneri i Kosovës Franco Foda, ka folur për Klan Kosovën…