Ramadani kërkon seancë të menjëhershme: Ta votojmë ligjin që e kërkuan qytetarët prej 17 ditësh
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar që Kuvendi të thërrasë menjëherë seancën për votimin e ligjit, për të cilin, sipas tij, qytetarët po protestojnë tash e 17 ditë.
“Thirreni more seancën sot menjëherë! Ta votojmë ligjin që e kërkuan tash e sa 17 ditë qytetarët në protestë! Çka po prisni?”, ka shkruar Ramadani në një postim në ‘Facebook’.
Qeveria e Kosovës vlerësoi më 2 tetor se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ky qëndrim është përfshirë në vendimin e miratuar në mbledhjen elektronike të Qeverisë, në përgjigje të kërkesës së Kuvendit të Kosovës të 23 shtatorit për vlerësimin e projektligjit.
Vendimi, bashkë me tekstin e mendimit të Qeverisë, i dërgohet Kuvendit.
Në njoftimin për mbledhjen, Qeveria tha se vlerësimi përfshin përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit.



