Policia del me njoftim pas eskalimit të protestës tek Kuvendi
Policia e Kosovës ka dalur me një njoftim pas eskalimit të situatër tek objekti Kuvendi të Kosovës, ku protestuesit po bëjnë thirrje që të votohet Ligji për Specialen.
Policia ka sqaruar se është detyruar të ndërmarr masa që të parandalohet dëmtimi i objekteve shtetrore.
“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë
Prishtinë, më 05 tetor 2026
Protesta e qytetarëve e cila po mbahej sot përreth objekteve shtetërore, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes.
Policia e Kosovës, me njësitë e saja ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbarëvajtjen e protestës si dhe ruajtjen e jetës dhe pronës publike.
Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mos votimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore, për të pamundësuar daljen e personaliteteve/deputetëve nga Kuvendi i RKS-së, ku disa prej tyre edhe i kanë detyruar të kthehen sërish brenda në Kuvend.
Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos dëmtojnë pronën publike, të mos pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, e të mos bien ndesh me ligjin.
Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar nga hedhjet e vazhdueshme të gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve, moslejimit të lëvizjes së lirë, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme, për parandalimin e dëmtimit të objekteve shtetërore dhe krijimit të mundësive për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve e personaliteteve shtetërore.
Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.
Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.
Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës.



