Çfarë ndodhi dje brenda dhe jashtë Kuvendit

06 tetor 2026 | 08:27

Një seancë plenare maratonike që nisi me shqyrtimin dhe votimin në parim të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, përfundoi pa miratim të plotë të tij dhe pa një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, për të cilin ka afat vetëm edhe sot deri në mesnatë.

Kuvendi i Kosovës të hënën me shumicë të votave ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Por i ka mbyllur punimet pa u proceduar mocioni i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për procedurën e përshpejtuar të miratimit në lexim të dytë brenda të njëjtës ditë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që i ka dhënë mbështetje në parim projektligjit ka kërkuar që të arrihet dakordimi edhe për zgjedhjen e presidentit, me arsyetimin se kanë mbetur vetëm 24 orë afat për të evituar zgjedhjet e parakohshme, ndërsa PDK-ja këtë çështje e ka vlerësuar më pak urgjente sesa projektligji.

Dhe ndërkohë që të dy çështjet kanë mbetur pezull, jashtë objektit të Kuvendit protestuesit nga veprimet paqësore kanë kaluar në veprime të dhunshme dhe janë përleshur me policinë.

Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve, të hënën mbrëma në Prishtinë. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë me dije se prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues. Syla ka ththënë se  gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

Në orët e mbrëmjes të së hënës, është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë.

Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me “top” me ujë me synim shpërndarjen e protestuesve. Situatë e tensionuar ka mbretëruar edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka cilësuar të…