Lushtaku përkujton Abedin Rexhën: Ai ishte njëri ndër themeluesit dhe organizatorët e UÇK-së, trim i rrallë dhe strateg
Kryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i Zonës Operative të UÇK-së në Drenicë, Sami Lushtaku, ka përkujtuar bashkëluftëtarin e tij, Abedin Rexha – “Sandokani”, në 28-vjetorin e rënies së tij.
Lushtaku, përmes një postimi në “Facebook”, ka nderuar figurën e Rexhës, duke vlerësuar kontributin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në 28-vjetorin e rënies, me nderin dhe krenarinë më të madhe nderojmë sakrificën e bashkëluftëtarit tonë nga Vajniku, Abedin Rexha – Sandokani”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se Rexha ka qenë një nga themeluesit dhe organizatorët e UÇK-së, ndërsa ka vlerësuar kontributin e tij si komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”.
“Abedini ishte njëri ndër themeluesit dhe organizatorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një trim i rrallë, strateg dhe udhëheqës i shquar. Për kontributin dhe angazhimin e tij, ai u emërua komandant i Brigadës 112 ‘Arben Haliti’, detyrë të cilën e ushtroi deri në rënien e tij më 8 tetor 1998”, ka shkruar Lushtaku.
Lushtaku ka theksuar se kontributi i Abedin Rexhës në krijimin, organizimin dhe luftën e UÇK-së mbetet pjesë e historisë së luftës për liri dhe se ai do të kujtohet me respekt e mirënjohje.
“Kontributi i Abedin Rexhës në krijimin, organizimin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet pjesë e historisë së lavdishme të luftës për liri dhe do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Abedin Rexhës – Sandokanit!”, ka shkruar Lushtaku.








