Ndahet nga jeta veterani i Luftës së Dytë Botërore në moshën 100-vjeçare
Henry Rice, veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili i mbijetoi për pak një sulmi me silur, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Rice, nga Cranleigh, në Surrey të Anglisë, ka shërbyer si sinjalizues në anijen luftarake HMS Eastway gjatë zbarkimit të forcave aleate në Normandi. Ai ka mbërritur në plazhin Juno pesë ditë pas Ditës D, më 6 qershor 1944.
Për kontributin e tij, ai është nderuar me medaljen franceze të Legjionit të Nderit. Rice kishte bërë thirrje që shkollat t’u mësojnë fëmijëve më shumë për zbarkimin në Normandi, duke paralajmëruar se “bota është e rrezikshme në këtë moment”.
Një përfaqësues i organizatës bamirëse Spirit of Normandy Trust, e cila mbështet veteranët, e ka përshkruar Rice si një person me karakter të veçantë dhe me një buzëqeshje lozonjare, që e bënte të dashur për këdo që e takonte.
Në një intervistë për “BBC”-në, Rice kishte thënë se rikthimi në Normandi për një ceremoni përkujtimore në qershor të këtij viti kishte “kuptim gjithçka” për të.
“Kam pasur një jetë të mrekullueshme”, ishte shprehur ai.
Duke folur për veteranët që kanë ndërruar jetë, Rice kishte treguar se përpiqej të mos mendonte shumë thellë për humbjen e tyre, megjithëse emocionet e kaplonin kur ishte vetëm.



