Uran Ismaili: Shëndetësia duhet të rikthehet ndër prioritetet e vendit

13 tetor 2026 | 12:21

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka bërë të ditur se është konstituuar Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, të cilin do ta drejtojë gjatë kësaj legjislature.

Përmes një postimi, Ismaili ka thënë se këtë përgjegjësi e merr me përkushtim, duke theksuar se çdo qytetar meriton kujdes shëndetësor në kohë, të sigurt dhe cilësor, si dhe mbrojtje nga shpenzimet e larta nga xhepi.

Ai ka rikujtuar se gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë kishte nisur reforma me pacientin në qendër, me synimin për të ndërtuar shërbime publike shëndetësore funksionale dhe të besueshme për qytetarët.

Ismaili ka vlerësuar se vëmendja institucionale ndaj shëndetësisë ka rënë, ndërsa nevojat e qytetarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Për këtë arsye, ai ka thënë se do të angazhohet që shëndetësia të rikthehet ndër prioritetet e vendit, përmes veprimeve konkrete, investimeve të planifikuara mirë dhe përgjegjësisë për rezultatet.

Kryetari i Komisionit për Shëndetësi ka theksuar se do të dëgjojë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, do të mbikëqyrë punën e institucioneve përkatëse dhe do të angazhohet për zgjidhje që përmirësojnë kujdesin për qytetarët dhe kushtet e punës për punonjësit shëndetësorë.

Sipas Ismailit, suksesi duhet të matet me atë nëse qytetari e merr shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, me cilësi dhe dinjitet.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Paul Pogba vazhdon ta kërkojë një skuadër të re për…