Shkencëtarët zbulojnë 180 mijë breshka gjigante në një ishull të Seychelles

14 tetor 2026 | 08:34

Një studim i popullatës më të madhe në botë të breshkave gjigante që jetojnë të lira në natyrë ka zbuluar se kjo specie, e cila dikur ishte e rrezikuar, po lulëzon.

Një popullatë e breshkave gjigante të Aldabrës jeton në një ishull të arkipelagut të Seychelles, të quajtur Atolli Aldabra, shkruan The Guardian, transmeton klankosova.

Studimi më i fundit, i udhëhequr nga Fondacioni i Ishujve të Seychelles (SIF) dhe Universiteti i Exeterit, ka zbuluar se në këtë ishull jetojnë rreth 180 mijë breshka. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë specie dhe e tejkalon dukshëm popullsinë njerëzore të Seychelles.

Shifra e re u përcaktua nga një ekip studiuesish, të cilët analizuan të dhënat e numërimit të breshkave gjatë pesë viteve, nga viti 2018 deri më 2022. Ky është përditësimi i parë që nga fundi i viteve 1990, kur një vlerësim i cituar gjerësisht tregonte se në ishull jetonin rreth 100 mijë breshka.

Atolli Aldabra është një nga vetëm dy vendet në botë ku breshkat gjigante gjenden në gjendje të egër, ndërsa një popullatë shumë më e vogël jeton në ishujt Galapagos.

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Ishujve të Seychelles, Frauke Fleischer-Dogley, tha se prania e më shumë se 180 mijë breshkave gjigante që lëvizin lirshëm në atoll dëshmon se çfarë mund të arrihet përmes përkushtimit afatgjatë ndaj ruajtjes së natyrës.

“Ky është një lajm i mrekullueshëm për Seychelles, për botën dhe për të gjithë ata që kanë punuar për mbrojtjen e Aldabrës”, deklaroi ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një studente 23-vjeçare në Iran është dënuar me vdekje për…