Veprimtari Sali Bislimi: Haga është një varr i hapur për Kosovën, por nuk do ta varrosim të gjallë vendin dhe heronjtë e tij

14 tetor 2026 | 20:27

Veprimtari Sali Bislimi ka zhvilluar një drekë me mikun e tij, Jean-Daniel Ruch, ish-ambasador i Zvicrës në Serbi, Turqi dhe Izrael, si dhe këshilltar politik i Carla Del Pontes, me të cilin ka diskutuar për procesin gjyqësor në Hagë dhe zhvillimet që lidhen me Kosovën.

Në një postim në ‘Facebook’, Bislimi e ka cilësuar Hagën si “një varr të hapur për Kosovën”, duke theksuar se, sipas tij, Kosova dhe heronjtë e saj nuk do të varrosen të gjallë.

Ai ka bërë thirrje për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e konsideruar këtë hap si konfirmim të pavarësisë së shtetit të Kosovës.

“Me ndryshimin e ligjit për Specialen, ju konfirmoni pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pikë!”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka theksuar se Kosova duhet ta marrë fatin e saj në duart e veta, duke paralajmëruar se të tjerët mund t’ia komplikojnë gjërat, por nuk do ta ndihmojnë domosdoshmërisht.

Bislimi ka përmendur edhe rastin e Dick Marty-t, duke pretenduar se serbët kishin tentuar ta vrisnin atë për t’ua lënë fajin shqiptarëve.

Sipas tij, një frymë e ngjashme po vazhdon edhe në procesin aktual në Hagë, ku, siç pretendon ai, Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj po përpiqen t’ia atribuojnë Hashim Thaçit veprime që, sipas Bislimit, ai nuk i ka kryer.

Veprimtari Bislimi ka theksuar se, pavarësisht mospajtimeve që mund të ketë me Ruchin, ata vazhdojnë të bisedojnë për ta kuptuar më mirë realitetin në Ballkan.

Në fund të postimit, Bislimi ka shprehur qëndrimin se Evropa është vonuar me këtë proces gjyqësor, të cilin e konsideron të panevojshëm.

Ai ka pretenduar gjithashtu se procesi është pritur deri në ndryshimin e pushtetit të Hashim Thaçit, me qëllim që të kishte më pak rezistencë nga shteti i Kosovës.

Postimi i Bislimit vjen në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon të jetë në qendër të debatit politik në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Ethem Çeku Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës…