Haradinaj kërkon bashkim të opozitës kundër keqqeverisjes së qeverisë Kurti
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mosmbrojtja e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje partive opozitare që të bashkohen kundër, siç e quajti, keqqeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj tha se, pavarësisht vonesave, çdo veprim në mbështetje të UÇK-së është i mirëpritur.
“Siguria jonë kombëtare rrezikohet kur ne nuk e mbrojmë vlerën tonë që është themel i ekzistencës sonë, që është UÇK-ja. Më vjen keq me shtu se nëse nuk e mbrojmë aleancën me Amerikën dhe NATO-n, prapë e rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare. Rrezikohet kur ne nuk i kryejmë punët tona. Mbështesim çdo veprim dhe mbështetje të UÇK-së, sado vonë, më mirë se hiç. Më vjen marre unë që jam UÇK e po duhet me ju thënë këto fjalë”, tha ai.
Ai kërkoi bashkimin e opozitës, duke thënë se mbrojtja e vendit bëhet edhe përmes kundërshtimit të qeverisjes aktuale.
“Ka edhe diçka, lirinë tonë e mbrojmë duke bërë opozitë të vërtetë. Duhet të bashkohemi kundër keqqeverisjes së Kurtit, kundër krejt përçajjes që ia bën këtij vendi. Ju ftoj të bashkohemi që t’i bëjmë opozitë të vërtetë keqqeverisjes së Kurtit”, tha Haradinaj.



