Ukrainasit përgatiten për më të keqen
Disa po grumbullojnë dru zjarri dhe qirinj. Të tjerë po blejnë shtëpi në fshat për t’u larguar nga qyteti nën bombardime. Ndërtesat po nxitojnë të instalojnë burime shtesë energjie. Gjeneratorët portativë po shiten me ritme të shpejta. Zyrtarët po shqyrtojnë mundësinë e ndërtimit të urave të përkohshme me pontone mbi lumin Dnjepër. Madje, edhe të një tuneli nën të.
Fushata ajrore e Rusisë, që synon ta gjunjëzojë Ukrainën përmes bombardimeve të pandërprera, po bëhet gjithnjë e më intensive dhe më e ashpër. Më 14 tetor, pjesa më e madhe e Kievit u zhyt në errësirë, ndërsa Moska lëshoi raketa dhe dronë drejt kryeqytetit ukrainas për të dytën natë radhazi.
Tani, ukrainasit po përgatiten për atë që shumëkush druhet se mund të jetë dimri më i vështirë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë, në shkurt të vitit 2022.
Në vijat e frontit, rezistenca e vendosur e Ukrainës ka arritur t’i ndalë pothuajse plotësisht forcat ruse. Muajt e fundit, forcat e Kievit ndërmorën një kundërofensivë të papritur, e cila solli një ndryshim të rëndësishëm, ndonëse të kufizuar në disa zona, në fushëbetejë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, burimi më i madh i armatimeve për Ukrainën, kanë ngadalësuar shumë prej dërgesave, veçanërisht ato të raketave penguese për sistemin kundërajror Patriot.
“Varianti realist është që mund të përballemi me një përsëritje të dimrit të kaluar. Kjo do të thotë sulme ndaj infrastrukturës së ngrohjes dhe shërbimeve publike”, tha Oleh Popenko, kreu i Unionit të Konsumatorëve të Shërbimeve Publike të Ukrainës, në një prononcim për Current Time, projekt i Radios Evropa e Lirë. “Ne nuk jemi aspak të mbrojtur nga kjo dhe askush nuk është”.

Strehë kundër bombardimeve në bodrum
Zyrtarët ukrainas janë përpjekur të përballen me mungesën e raketave penguese amerikane. Aleatët evropianë kanë furnizuar disa të tilla, por jo në sasi të mjaftueshme, thonë zyrtarët.
Sistemi i prodhuar në SHBA është i vetmi sistem mbrojtës që ka dëshmuar se mund të përballojë raketat hipersonike dhe balistike me shpejtësi të lartë. Rezervat amerikane kanë rënë në nivele rrezikshmërisht të ulëta, pasi shumë prej këtyre raketave penguese u dërguan në Lindjen e Mesme për t’u mbrojtur nga sulmet iraniane në luftën që nisi në fund të shkurtit.
Zyrtarët në Kiev druhen gjithashtu se mund të humbasin qasjen në informacionet e hershme të zbulimit, përfshirë paralajmërimet për lëshimin e raketave ruse, të cilat sigurohen kryesisht nga amerikanët. Presidenti Volodymyr Zelensky tha më 13 tetor se, për të dytën natë radhazi, Kievi nuk kishte marrë asnjë paralajmërim nga aleatët perëndimorë.
“Çështja nuk është nëse Rusia do të shënjestrojë qendrat e të dhënave apo pikat e karburantit”, tha një eksperte. “Ata do të godasin gjithçka”.
Shqetësimeve të Kievit u shtohet edhe njoftimi i presidentit amerikan, Donald Trump, javën e kaluar për një “armëpushim energjetik” mes Rusisë dhe Ukrainës, i cili e zuri Kievin në befasi dhe që, sipas Zelenskyt, Rusia e ka shkelur vazhdimisht. Trump, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm mes rritjes së vrullshme të çmimeve të naftës dizel dhe benzinës, kërkoi që Ukraina të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse dhe tha se SHBA-ja do të importonte naftë dizel nga Rusia.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, dhe qeveria e Zelenskyt kanë shkëmbyer akuza lidhur me ritmin e përgatitjeve për dimrin në kryeqytet dhe në rajonin përreth.
Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm po bëjnë çfarë munden për t’u përgatitur.
Vitaliy Kupchak, i cili drejton një shoqatë bashkëpronarësh të një pallati banimi në lagjen Solomianski të Kievit, tha se shoqata kishte vendosur një tarifë shtesë për banorët dhe i kishte përdorur paratë për të ndërtuar një strehë të vogël në një hapësirë bodrumi që më parë shërbente si “vendgrumbullim mbeturinash”.
“Brenda rreth një muaji, gjithçka u pastrua, muret dhe dyshemeja u lyen, ndërsa njerëzit kontribuuan me aq sa mundën. Dikush solli një divan, dikush një krevat të vogël”, tha ai për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL) gjatë një vizite të fundit.
“Kur bie alarmi ajror, ndonjëherë njerëzit e kalojnë natën këtu. Siç mund ta shihni, nuk ka shumë vende për të fjetur, ndaj njerëzit sjellin dyshekët dhe thasët e tyre të gjumit, i shtrojnë në dysheme dhe flenë këtu”.

Javët e fundit, Rusia ka kryer disa sulme ndaj urave mbi Dnjepër, lumin që ndan kryeqytetin ukrainas. Ndërtesat kryesore qeveritare të qytetit dhe pjesa më e madhe e popullsisë ndodhen në bregun perëndimor, por edhe bregu lindor është shtëpi për një numër të konsiderueshëm banorësh: rreth 40 për qind të popullsisë urbane.
Lyudmyla Petrovna, e cila jeton në një pallat të lartë në bregun lindor të Dnjeprit, kujtoi vështirësitë me të cilat u përball dimrin e kaluar gjatë valëve të sulmeve ruse dhe ndërprerjeve të ngrohjes.
Ajo kishte ruajtur tashmë shishe pesëlitërshe me ujë të pijshëm në korridor dhe kishte blerë një furnelë me alkool për sobën elektrike, në rast se ndërpritej energjia. Kishte grumbulluar gjithashtu pako me supa të çastit në kuti kartoni.
“Ja një ngrohëse për duart. Çorape. Një bateri portative”, tha ajo për Current Time gjatë një vizite të fundit në shtëpinë e saj, duke dhënë vetëm emrin dhe emrin e të atit.

Ajo tha se po lutej që dimri të ishte më i butë, duke iu referuar një besëtytnie popullore në fshatrat ukrainase, sipas së cilës, nëse qepët e këtij sezoni nuk kanë lëvore, moti nuk duhet të jetë shumë i ashpër.
Një numër gjithnjë e më i madh banorësh të Kievit po blejnë shtëpi në fshat, jashtë qytetit, nëse kanë mundësi financiare, me shpresën se do të strehohen atje dhe do t’i shmangen pjesës më të rëndë të sulmeve të mundshme ruse.
Olena, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj, bleu së voni një shtëpi me kopsht rreth 100 kilometra në jug të Kievit. Ajo nuk ka nevojë të udhëtojë për në punë, çka e lehtëson zhvendosjen. Sipas saj, dhomat kryesore kanë ngrohëse individuale me gaz, ndaj nuk do të varet nga sistemi i ngrohjes qendrore të qytetit.
“Gjëja e parë që bëmë ishte të blinim dru zjarri. Lis. 3.500 hrivnia (78 dollarë) për metër kub, dhe blemë gjithsej gjashtë metra kub”, tha ajo.
Të tjerë nuk duan të largohen, ose nuk kanë shumë zgjidhje.
“Nuk kam ku të shkoj, kaq. Prandaj, nuk kam ndërmend të largohem”, i tha një burrë REL-it. “Besoj se po të kisha ku të shkoja, do të planifikoja të largohesha, por, siç janë gjërat tani, jo”.
Urë deri në pranverë
Në fillim të këtij muaji, sulmet me dronë rusë goditën urat jugore dhe veriore të Kievit, duke i detyruar autoritetet të mbyllnin ose të kufizonin qarkullimin mbi to dhe ura të tjera. Masat shkaktuan bllokime të mëdha trafiku, duke paralizuar transportin publik dhe duke vështirësuar lëvizjen në të gjithë qytetin. Disa banorë u detyruan ta kalonin lumin në këmbë.
Zyrtarët qeveritarë po diskutojnë tani përgatitjen e urave të përkohshme me pontone, në rast se urat ekzistuese dëmtohen aq rëndë sa nuk mund të riparohen shpejt. Kjo zgjidhje e përkohshme bëhet edhe më e vështirë për t’u zbatuar, pasi Dnjepri mund të ngrijë gjatë dimrave të ftohtë.
Mykola Kalashnyk, ministër i Transportit, tha gjithashtu se po shqyrtohej mundësia e ndërtimit të një tuneli nën Dnjepër.

Ashtu si shumë qytete që u zgjeruan me shpejtësi gjatë periudhës sovjetike, pjesa më e madhe e infrastrukturës së ngrohjes në Kiev është e centralizuar në impiante të mëdha kaldajash, të cilat furnizojnë me ngrohje mijëra banesa.
Autoritetet ukrainase po nxitojnë ta decentralizojnë këtë sistem, duke ndërtuar kaldaja më të vogla, por ekspertët thonë se procesi është prapa afateve të planifikuara.
“Nëse armiku shkatërron tri impiante të mëdha të ngrohjes publike, rreth 1.5 milion banorë mund të mbeten pa ngrohje”, tha Volodymyr Omelchenko, drejtor i programeve të energjisë në Qendrën Razumkov, një institut studimor në Kiev.
Klitschko tha se nuk do të urdhëronte evakuimin e qytetit, por përsëriti thirrjet që banorët të largohen përkohësisht nga kryeqyteti, nëse kanë mundësi.
“Sado mirë të përgatitemi, nëse mbrojtja ajrore nuk funksionon, mund të përfundojmë në një skenar të keq”, i tha ai Agence France-Presse.
“Ata do të godasin gjithçka”
Strategjia ruse e shënjestrimit të infrastrukturës civile të Ukrainës daton që nga dimri i parë i plotë i luftës, kur Kremlini kuptoi se forcat ruse nuk do të arrinin thjesht t’i mposhtnin mbrojtjet ukrainase, siç parashikonin shumë në Moskë.
Më vonë, gjatë vitit 2022, Putini emëroi në krye të një fushate sistematike bombardimesh ndaj infrastrukturës civile, siç janë termocentralet dhe rrjeti elektrik, një gjeneral të njohur për komandën e tij të pamëshirshme gjatë luftës në Siri. Në vitin 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare ngriti akuza ndaj dy komandantëve të lartë rusë për rolin e tyre në fushatën e sulmeve ajrore.
Që atëherë, Ukraina është përpjekur të forcojë mbrojtjen, të përmirësojë qëndrueshmërinë e rrjetit elektrik dhe t’i ndihmojë qytetarët të përballojnë dimrat e acartë. Dimri i kaluar ishte veçanërisht i ashpër.
Përpara dimrit të pestë të plotë të luftës në shkallë të gjerë, një dokument rus, për të cilin Ukraina thotë se e ka përgjuar, paraqet një plan të mundshëm për një fushatë që synon të ndërpresë deri në 90 për qind të furnizimit me energji elektrike në Kiev, Harkiv dhe Odesa. Dokumenti parashikon, gjithashtu, kufizime të mëdha të furnizimit me energji elektrike, ngrohje dhe ujë në qytetet e mëdha në mbarë vendin, si dhe goditjen e sistemeve të kanalizimeve.
Dokumenti – një kopje të të cilit Skemat, njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të REL-it, e siguroi nga burime në forcat e mbrojtjes ukrainase – identifikon 60 “objektiva kyç”. Mes tyre janë nënstacionet që transmetojnë energjinë elektrike nga tri centralet bërthamore që aktualisht janë nën kontrollin e Ukrainës, 10 hidrocentrale dhe objekte të tjera.
Përveç centraleve elektrike dhe infrastrukturës tjetër, dokumenti tregon se një nga synimet do të ishte nxjerrja jashtë funksionit e nënstacioneve, linjave të transmetimit dhe linjave të interkoneksionit pranë kufirit perëndimor, përmes të cilave energjia elektrike importohet nga Evropa dhe shpërndahet më tej në Ukrainë.

“Rusët do të përpiqen ta godasin Ukrainën në pikat e saj më të cenueshme… pavarësisht se sa mirë janë përgatitur ukrainasit. Cilado qoftë pika e dobët, duhet të jeni gati ta mbroni”, tha Kateryna Shynkaruk, një studiuese ukrainase në Shkollën Bush të Qeverisjes dhe Shërbimit Publik në Uashington.
“Çështja nuk është nëse Rusia do të shënjestrojë qendrat e të dhënave apo pikat e karburantit”, tha ajo në një podkast me Qendrën për një Siguri të Re Amerikane. “Ata do të godasin gjithçka”.



