Drejtësia sociale në rrugëtimin kushtetues të Kosovës
Në ditën e fundit të Akademisë për Drejtësi Sociale, prof. dr. Enver Hasani, ka mbajtur ligjëratën mbi parimet themelore të të drejtave sociale sipas Kushtetutës së Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
Ligjërata filloi me zhvillimin historik të idesë së drejtësisë sociale dhe të shtetit social.
Ajo shpjegon se, me kalimin e kohës, është kuptuar se liritë politike nuk janë të mjaftueshme pa mbrojtje sociale, punësim, arsim, shëndetësi, pensione dhe mundësi reale për të jetuar me dinjitet.
Pas Luftës së Dytë Botërore, këto parime u fuqizuan në shumë vende evropiane përmes sistemeve publike të mbrojtjes sociale dhe politikave për zvogëlimin e pabarazive.
Në vijim, prof. Hasani ka trajtuar rrugëtimin e këtyre parimeve në Kosovë: nga Marrëveshja e Rambujesë dhe Plani i Ahtisaarit, te Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ky zhvillim tregon se barazia, përfshirja, mbrojtja e komuniteteve dhe mirëqenia e qytetarëve kanë qenë pjesë e ndërtimit juridik dhe kushtetues të shtetit të Kosovës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet Nenit 22 të Kushtetutës për zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të instrumenteve ndërkombëtare, Nenit 24 për barazinë dhe mosdiskriminimin, si dhe dispozitave për të drejtën në punë, mbrojtjen e nënës dhe fëmijës, mbrojtjen sociale dhe shëndetësore.
Ligjërata trajton edhe përgjegjësinë e institucioneve për t’i kthyer këto garanci kushtetuese në të drejta të realizueshme për qytetarët.
Akademia për Drejtësi Sociale organizohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).



