Haxhiu sqaron deklaratën për protestat në Shqipëri: Kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve të disa mediave, të cilat, sipas saj, e kanë shtrembëruar përgjigjen e saj lidhur me protestat në Shqipëri.
Përmes një deklarate, Haxhiu ka thënë se zhvillimet në Shqipëri janë shqetësuese dhe se situata kërkon trajtim serioz nga institucionet.
Ajo ka theksuar se kërkesat e studentëve dhe protestuesve duhet të dëgjohen, ndërsa dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët.
Haxhiu ka sqaruar se deklarata e saj se arroganca vetëm i nxit protestat ishte një qëndrim parimor për mënyrën se si duhet të trajtohen protestat në përgjithësi, me seriozitet dhe gatishmëri për të dëgjuar qytetarët.
“Po shoh që disa media e kanë shtrembëruar përgjigjen time për protestat në Shqipëri. Më poshtë gjeni videon e përgjigjes time të plotë. Siç e kam thënë, zhvillimet atje janë shqetësuese për të gjithë ne. Ajo që po shohim kërkon trajtim serioz. Kërkesat e studentëve dhe të protestuesve duhet të dëgjohen nga institucionet, ndërsa dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët. Kur kam thënë se arroganca vetëm i nxit protestat, kam folur për mënyrën si duhet t’u qasemi protestave në përgjithësi, me seriozitet dhe me gatishmëri për të dëgjuar. Ky ishte një qëndrim parimor, jo gjykim për shkaqet e protestave apo akuzë ndaj ndonjë institucioni në Shqipëri. Si shqiptare e Kosovës, për të cilën Shqipëria është shtëpi, u kërkoj të gjitha palëve që me maturi të gjejnë rrugën përpara. Besoj se përmes dialogut, ndasitë mund të tejkalohen dhe qetësia të rikthehet sa më shpejt”, ka shkruar ajo në “Facebook”.



