Christiane Amanpour largohet nga CNN-i pas 43 vjetësh

20 tetor 2026 | 08:14

“Pas shumë muajsh reflektimi dhe disa netësh pa gjumë, kam vendosur të ndahem nga CNN, partneri im për 43 vite fantastike”, deklaroi Amanpour.

Gazetarja 68-vjeçare tha se pret me interes projekte të reja në të ardhmen, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të mbështesë CNN-in dhe traditën e tij të gazetarisë së pavarur. Ajo e përmbylli deklaratën me një mesazh që e ka shoqëruar gjatë karrierës së saj: “Jini gjithmonë të vërtetë, jo neutralë”.

Amanpour drejton emisionin e saj të intervistave në CNN International që prej vitit 2009. Në janar të vitit 2025, ajo e reduktoi angazhimin në disa ditë të javës, ndërsa nga janari i vitit 2027 emisioni do të transmetohet vetëm një herë në javë, deri në përfundimin e tij në maj. Megjithatë, ajo do të vazhdojë të raportojë dhe të udhëtojë në vende të ndryshme të botës për CNN-in deri në qershor të vitit 2027.

Drejtuesi  i CNN-it, Mark Thompson, konfirmoi vendimin e gazetares në një mesazh drejtuar punonjësve të rrjetit. Ai tha se e kishte diskutuar këtë çështje me Amanpour prej disa muajsh dhe, megjithëse i vjen keq për largimin e saj, beson se ky është momenti i duhur për të, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional.

Thompson e cilësoi Amanpour si një nga gazetaret më të besuara dhe më të vlerësuara në botë, duke theksuar se CNN-i do të gjejë kohën e duhur për të nderuar kontributin e saj përpara largimit vitin e ardhshëm.

Gjatë karrierës së saj, Amanpour ka raportuar nga disa prej konflikteve më të rëndësishme të dekadave të fundit, përfshirë Luftën e Parë të Gjirit, luftën në Bosnjë, Luften ne Kosove, gjenocidin në Ruandë, luftën në Afganistan, si dhe konfliktet në Ukrainë dhe Iran. Ajo theksoi se suksesi i këtyre raportimeve ishte rezultat edhe i punës së ekipeve të saj në terren, me të cilat kërkoi të dokumentonte faktet, provat dhe dimensionin njerëzor të konflikteve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Qeveria italiane do të dislokojë 500 ushtarë shtesë për të…