Milano bëhet gati për kaos: mbërrijnë 500 ushtarë, hiqen mallrat nga vitrinat e dyqaneve
Qeveria italiane do të dislokojë 500 ushtarë shtesë për të “mbrojtur Milanon” pas dy ditësh trazirash, gjatë të cilave protestuesit u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe shkatërruan prona, njoftoi zëvendëskryeministri Matteo Salvini.
Dërgimi i trupave pritet të jetë pjesë e një pakete masash sigurie, për të cilat qeveria do të vendosë në mbledhjen e sotme. Ky vendim vjen në një kohë kur dyqanet në qendër të Milanos kanë filluar të mbyllen më herët dhe të mbulojnë vitrinat e tyre me dërrasa, nga frika e një rishfaqjeje të dhunës në qendrën financiare të Italisë, raporton “The Guardian”.
“Nga fjalët te veprat: 500 ushtarë të tjerë për të mbrojtur Milanon,” shkroi në rrjetet sociale Salvini – kreu i partisë së krahut të djathtë “Lega”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Kontejnerë plehrash të vënë në flakë
Shumica e dyqaneve në zonën luksoze të Milanos, “Via Montenapoleone” – ku ndodhen marka si Chanel, Tiffany dhe Dior – i kanë hequr mallrat nga vitrinat e tyre si masë paraprake. Oficerë policie patrullonin rrugën, ndërsa disa turistë vëzhgonin situatën.
Gjatë fundjavës, disa qindra protestues me kapuçë – mes të cilëve besohet se kishte shumë të mitur – u vunë flakën kontejnerëve të plehrave dhe plaçkitën dyqane në qendër të qytetit. Trazirat shpërthyen pas një proteste të shtunën, e cila nisi në mënyrë paqësore dhe kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen ndaj shërbimeve të dobëta publike dhe rritjes së kostos së jetesës. Pamjet televizive tregojnë se mes dyqaneve të plaçkitura ishin pikat e zinxhirëve të artikujve sportivë “Decathlon” dhe “Arc’teryx”, si dhe degë të operatorit të telekomunikacionit “Vodafone”. Markat e modës “Levi’s” dhe “Under Armour”, së bashku me “Decathlon”, i mbuluan vitrinat e tyre me kartonë dhe dërrasa druri.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni – e cila përballet me zgjedhje kombëtare vitin e ardhshëm – e dënoi dhunën dhe zhvilloi dje një takim me ministra të qeverisë dhe zyrtarë të sigurisë për të vlerësuar situatën. “Qeveria do të përgjigjet me vendosmëri ndaj këtyre sulmeve ndaj shtetit, përfshirë masa që synojnë frenimin e dhunës nga të miturit,” shkroi në platformën e rrjeteve sociale X, Ministri i Punëve të Jashtme Antonio Tajani – i cili, ashtu si Salvini, mban edhe postin e Zëvendëskryeministrit.
Sipas gazetës Corriere della Sera, Meloni po shqyrton masa që përfshijnë zgjatjen e paraburgimit për të miturit dhe ndërmarrjen e veprimeve të ashpra kundër bandave të të miturve. Gjithashtu, po diskutohet për përshpejtimin e zbatimit të disa dispozitave nga legjislacioni ekzistues për sigurinë, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare.
Trazira që të kujtojnë ngjarjet në Francë
Policia italiane njoftoi se 271 të rinj u ndaluan gjatë trazirave në Milano të dielën. Këto trazira pasuan përplasjet që ndodhën të shtunën në qytete të tjera të Italisë veriore, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon. Sipas një raporti të policisë të publikuar të dielën, 28 protestues u arrestuan në Torino. Këto trazira të kujtojnë ato në Francën fqinje, ku qindra mijëra njerëz – të pakënaqur nga rritja e kostos së jetesës dhe përkeqësimi i shërbimeve publike – dolën në rrugë të shtunën. Këto janë ndër protestat më të dhunshme në vend gjatë viteve të fundit.



