Ramadani: Ku u avulluan 30 milionë euro për bujqit?
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me buxhetin për subvencionet dhe grantet në bujqësi për vitin 2026, duke akuzuar pushtetin për mashtrim ndaj bujqve.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ramadani ka kujtuar se më 22 qershor ishte shpallur thirrja për pagesat direkte për bujqit, me premtime për buxhet rekord dhe mbështetje historike për sektorin e bujqësisë.
Megjithatë, sipas tij, në tetor situata është ndryshe, pasi buxheti i planifikuar prej 67 milionë eurosh për subvencione dhe 10 milionë eurosh për grante, sipas pretendimeve të tij, është reduktuar në vetëm 47 milionë euro.
“Pra, 30 milionë euro janë avulluar rrugës!”, ka deklaruar Ramadani, duke ngritur pikëpyetje për destinimin e mjeteve të planifikuara për bujqësinë.
Ai ka kritikuar pushtetin për atë që e cilësoi si mashtrim të radhës ndaj bujqve, duke theksuar se ata nuk kërkojnë lëmoshë, por mbështetjen financiare që u është premtuar.



