Kuka kritikon natyralizimin e sportistëve: Kosova ka fëmijë të talentuar
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka kritikuar praktikën e natyralizimit të sportistëve në Kosovë, duke kërkuar përcaktimin e kritereve të qarta dhe hartimin e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e sportit dhe talentëve të rinj.
Në një reagim publik, Kuka ka thënë se mungesa e rezultateve në sportin kosovar po krijon situata shqetësuese për gjeneratat e reja. Ai ka ngritur shqetësime edhe për natyralizimin e fëmijëve, duke theksuar se kjo praktikë nuk duhet të shndërrohet në strategji të ministrisë përgjegjëse për sportin apo të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
“E kuptoj që ka dhe do të ketë natyralizime dhe kjo do të duhej të bëhej me kritere shumë të qarta. Nëse një sport ka nivel dhe një sportist shihet si përforcim i ekipit, jemi në rregull, por jo ndryshe”, ka shkruar Kuka.
Ai ka theksuar se Kosova ka shumë sportistë të talentuar, të cilët kanë dëshmuar se vendi mund të nxjerrë garues të nivelit të lartë pa u mbështetur te natyralizimet.
“Kosova ka fëmijë të mirë dhe Majlinda, Nora, Distria, Donjeta, Akili e shumë të tjerë e kanë dëshmuar”, ka theksuar trajneri.
Kuka ka kërkuar gjithashtu krijimin e Këshillit Kombëtar të Sportit, përmes të cilit do të përcaktoheshin prioritetet dhe do të hartohej një strategji e qartë për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Ai është shprehur i bindur se vendi ka potencial për të nxjerrë kampionë dhe për të fituar medalje në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
“Koha të kemi Këshillin Kombëtar të Sportit e të shohim çka është prioritet dhe të kemi strategji të qartë! Kosova din dhe mundet të ndërtojë medalje të arta evropiane, botërore e olimpike!”, ka shkruar Kuka.
Në fund të reagimit, trajneri ka rikujtuar sukseset olimpike të xhudos kosovare, duke vënë në pah kontributin e Pejës në përgatitjen e kampioneve olimpike.
“Tri të artat olimpike janë ndërtuar në Pejën e bukur me vajzat e lindura e të rritura në luftën tonë çlirimtare dhe të tria këto medalje flasin shqip”, ka përfunduar Kuka.



