BKK nis bashkëpunimin me Bibliotekën Szabó Ervin në Budapest
Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, kanë zhvilluar takim në Bibliotekën Szabó Ervin në Budapest.
Delegacioni nga Kosova është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e bibliotekës, Ágnes Kovácsné Koreny, Emese Kovács, eksperte për marrëdhënie ndërkombëtare, si dhe Anna Gáti, përfaqësuese e Departamentit të Diplomacisë së Bashkisë së Budapestit.
Të dyja palët ndanë përvojat dhe praktikat e tyre institucionale, duke vënë në pah rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e bibliotekarisë.
Një moment i veçantë i vizitës ishte prezantimi i materialeve nga koleksioni i Bibliotekës Szabó Ervin, që lidhen me Kosovën, përfshirë libra të vjetër, harta dhe botime që dokumentojnë folklorin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.
Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi, delegacioni nga Kosova dhuroi një numër librash, të cilët do t’i bashkohen koleksionit të seksionit për Kosovën në Bibliotekën e Qytetit të Budapestit, duke kontribuar në pasurimin e mëtejshëm të fondit bibliotekar dhe në promovimin e kulturës sonë.
Në përmbyllje të programit, delegacioni vizitoi pallatin historik Wenckheim, ambientet e Bibliotekës Qendrore dhe hapësirën krijuese MetszésPont, duke u njohur nga afër me historinë, arkitekturën dhe aktivitetet kulturore të institucionit.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës e vlerëson këtë vizitë dhe mundësinë për ta thelluar bashkëpunimin me institucionet bibliotekare ndërkombëtare në shërbim të dijes, kulturës dhe trashëgimisë së përbashkët.




