Thellohet bashkëpunimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë

22 tetor 2026 | 08:27

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit (MKT) dhe të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hungari janë pritur dje në një takim nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë.

Takimi është zhvilluar ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të MKT-së, Bislim Bislimi dhe Gábor Csaba, zëvendëssekretar shtetëror përgjegjës për diplomacinë kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, si dhe Drejtoresha e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MKT, Brikena Mulliqi.

Diskutimet u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve dhe në nevojën për të lehtësuar zbatimin e marrëveshjeve sektoriale në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Përfaqësuesit hungarezë shprehën gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në proceset e integrimit evropian që ndërlidhen me këto fusha, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të diplomacisë kulturore në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Palët diskutuan për mundësitë për zhvillimin e projekteve dhe programeve të përbashkëta, me synim forcimin e shkëmbimeve kulturore, promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane dhe kontributin në përafrimin evropian të Kosovës.

Ndër temat kryesore të diskutimit ishin hartimi i një kalendari të përbashkët kulturor ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë; mbështetja e botimeve, konferencave dhe prezantimeve kulturore e artistike; përshtatja e programeve të bursave të studimit me nevojat për profile profesionale në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, si dhe promovimi i trashëgimisë arkeologjike të Kosovës në Hungari.

Takimi riafirmoi rëndësinë e diplomacisë kulturore si instrument për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve kulturore të të dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rusia ka kërcënuar Japoninë me masa të ashpra, pasi kompania…