Ndalet për 48 orë një person i dyshuar për fajde dhe detyrim, dëmi mbi 50 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se një person me inicialet L.K. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.
Gjatë veprimeve hetimore janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore, përfshirë shitjen dhe blerjen e simuluar të artikujve, shërbimeve apo sendeve, me qëllim të mbledhjes së provave lidhur me veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Prokuroria ka bërë me dije se, deri në këtë fazë të hetimeve, dyshohet se dëmi i shkaktuar viktimës i tejkalon 50 mijë euro.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me AKI-në, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.



