Rama: Dhuna në protesta është e orkestruar

22 tetor 2026 | 15:58

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e bankave në ambientet e Bankës së Shqipërisë, pas incidenteve dhe dëmtimeve të raportuara ndaj degëve bankare në Tiranë gjatë protestave të dhunshme.

Gjatë takimit, Rama e cilësoi dhunën si të orkestruar dhe pretendoi se në të janë përfshirë elemente të brendshme dhe të jashtme, të cilat, sipas tij, synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe të Evropës.

Ai tha se protestat e dhunshme nuk duhen ngatërruar me të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të kërkuar llogari nga institucionet.

“Këta elementë të bashkuar në një front nuk janë studentët dhe pjesa e shoqërisë që ka të gjitha të drejtat për të protestuar dhe për të kërkuar llogari”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se sulmet ndaj bankave dhe policisë nuk kanë të bëjnë me situatën e vitit 1997, duke theksuar se rrethanat e sotme janë të ndryshme. Ai gjithashtu shprehu solidaritet me drejtuesit e bankave, duke i cilësuar institucionet bankare si garantuese të kursimeve të qytetarëve.

Rama tha se qeveria do të vazhdojë të trajtojë problemet e qytetarëve përmes institucioneve, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së qetësisë dhe të zhvillimit paqësor të protestave.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri njoftoi se qeveria ka kaluar për shqyrtim në Kuvend projektligjin për strehimin social të përballueshëm. Sipas tij, një nga masat e parapara është mbulimi i 50 për qind të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

“Do të paguajmë edhe 50% të qirasë për ata studentë që plotësojnë kriteret e vendosura”, tha Rama.

Ai theksoi se qeveria ka detyrime për të adresuar kërkesat e qytetarëve, duke dalluar protestat paqësore nga aktet e dhunës dhe dëmtimit të pronës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Florent Sela shpall te pavlefshme dëftesat e klasës 1-8 te…