Raportohet se dhjetëra aeroplanë izraelitë fluturuan deri te kufiri i Iranit

22 tetor 2026 | 00:47

hjetëra aeroplanë luftarakë izraelitë dhe aeroplanë për rimbushje me karburant fluturuan mbi Siri dhe Irak drejt kufirit iranian më herët këtë javë, duke ndjekur një rrugë fluturimi që i ngjante një sulmi ndaj Iranit, raportojnë mediat amerikane, “Axios” dhe “Fox News”.

Aeroplanët u kthyen prapa pak para se të arrinin mbi territorin iranian dhe u kthyen në Izrael, sipas një raporti të mediumit “Axios”, i cili citoi zyrtarë të paidentifikuar amerikanë e izraelitë, pas një raporti të mëhershëm të televizionit “Fox News” për këtë çështje, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Izraeli e kishte njoftuar paraprakisht Uashingtonin për këtë veprim, duke thënë se bëhej fjalë për një ushtrim ushtarak dhe shfaqje të forcës me qëllim të frenimit të Iranit nga sulmi para zgjedhjeve izraelite të javës së ardhshme, i thanë burimet uebfaqes “Axios”.

Megjithatë, disa burime amerikane thanë se dyshojnë që zyrtarët izraelitë mund të shpresonin se Irani do të hapte zjarr në drejtim të aeroplanëve, duke i ofruar Izraelit justifikim për të kryer sulm.

Raportimet vijnë pasi gazeta e njohur britanike, “Financial Times”, raportoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte synuar që të niste sulme kundër Iranit më herët këtë muaj, por presidenti amerikan, Donald Trump, e kundërshtoi rinisjen e luftimeve para zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA.

Në raportin e mediumit “Axios” thuhet se komandanti i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, i tha homologut të tij amerikan, Dan Caine, se një luftë para zgjedhjeve në Izrael javën e ardhshme me gjasë do t’i detyronte autoritetet që t’i shtynin ato.

Zamiri tha të martën se ushtria izraelite do ta mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të javës së ardhshme “pa ndërhyrje të jashtme”.

Televizioni izraelit, “Channel 12”, raportoi të mërkurën se zyrtarët e lartë të sigurisë i kundërshtojnë veprimet ushtarake kundër Iranit që do të mund t’i pezullonin zgjedhjet.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Faton Hasani Sot, më shumë se kurrë, PDK-së i…