21 vjet nga rënia e kolosit të UÇK-së, Veli Nocaj

23 prill 2019 | 11:19

Erald Selca

Related image

Zona Operative e Dukagjinit ishte bastion lufte dhe urë lidhëse me zonat e tjera. Pas rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe betejës së Gllogjanit më 24 mars 1998 shumë të rinj e të reja, burra dhe gra, iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një prej tyre ishte edhe Veli Adem Nocaj, lindur më 29.10.1969 e rënë më 23.4.1998.

Veli Nocaj lindi në fshatin Dujakë, Komuna e Gjakovës. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të Skivjanit, ndërsa ato të mesme në Gjakovë. Është nip i Haxhi Alisë nga Juniku, të cilin regjimi pesëdhjetëvjeçar serb, pas shumë torturave, me pretekst të kërkimit të armëve në dimrin e ashpër të vitit 1956, e mbyti në pus të vet. Kjo ngjarje atë ditë e sot mbahet mend në rrafsh të Dukagjinit si makabre. Prindërit, Adem e Nurije Nocaj, kishin pesë fëmijë: tri vajza e dy djem. Veliu ishte i pesti me radhë. Meqë prindërit i punonin në Gjermani, Veliu si kryfamiljar merrej me bujqësi, duke mos dashur të bjerë në sy të forcave të sigurimit serb, ngaqë tashmë ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së. Ishte i martuar dhe ka lënë pesë fëmijë: dy djem dhe tri vajza. Shërbimin ushtarak e kishte kryer në qytetin e Tito Velesit në Maqedoni.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u rendit qysh në ditët e para të paraqitjes së saj, përkatësisht më 23 mars të vitit 1998. Bashkëpunoi me Njësitin e Zonës Operative të Dukagjinit, Shtabi në Gllogjan. Ka marrë pjesë në aksionin për furnizim me armë, me ç’rast vritet në pritën e 23 prillit të vitit 1998 në malet e Koshares bashkë me 18 dëshmorët nga Hereçi e Sllupi, si dhe me bashkëfshatarin Blerim Jonuzaj. Trupi i dëshmorit është varrosur në vendlindje dhe prehet këto ditë të Kosovës së lirë për të cilën luftoi sypatrembur si dragua shqiptarie.

Për Veliun janë recituar poezi, kënduar këngë, do të shkruhen romane dhe do të bëhen filma dokumentarë. Gjithashtu, do të kujtohet përjetësisht madhështia e tij dhe nami si një nga ushtarët e parë të UÇK-së. Veli Nocaj i takon pavdekësisë, Shqipërisë, bashkimit dhe përjetësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mike Phelan, i cili është asistent në Manchester United, po…